Policia nuk garanton sigurinë, FSHF: Rrezikohet ndeshja Shqipëri-Angli

22

11:45 25/03/2021

Policia e Tiranës nuk ka marrë përsipër të garantojë sigurinë për ndeshjen e ditës së dielë më 28 Mars mes Shqipërisë-Anglisë.

Në një njoftim për mediat, Federata Shqiptare e Futbollit thotë se ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë rrezikohet që të anulohet nëse policia nuk merr masa.

FSHF ka publikuar edhe letrën që drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupi, i ka dërguar këtij federatës, ku shpreh shqetësimin për bizneset përreth ambienteve të stadiumit “Arena Kombëtare”, për të cilat thotë se pengojnë punën e forcave të policisë për marrjen e masave.

E në këtë aspekt, Policia e Tiranës nuk merr përsipër të garantojë sigurinë për ndeshjen e së dielës mes Shqipërisë dhe Anglisë në orën 18:00 në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit:

Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.

Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.

Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar. /tvklan.al

Huazuar nga