Gazment Bardhi me të rinjtë në Cërrik: Me 25 prill keni në dorë vendin, sillni në fuqi politikën që jep llogari! –

12

Në një takim me të rinj të zonës së Sulovës në Cërrik, Gazment Bardhi ndau shqetësimet se si kanë ecur gjërat në këto 8 vite, dhe përcolli mesazhin se ndryshimi është në duart e tyre, me 25 prill.
Mes tyre, kishte edhe votues për herë të parë. “Fuqinë dhe pushtetin e keni ju në ditën e votimit. Duhet të keni parasysh se ju keni në dorë fatin tuaj, të familjeve tuaja dhe të Shqipërisë. Atë ditë duhet të merrni një vendim pa emocion, por me analizë të ftohtë.

Shihni se sa kanë vuajtur prindërit tuaj në këto 8 vite, shihni se si kanë qeverisur këta. Mbani mend se si thotë ky kryeministër, që s’ka problem pse ikin të rinjtë. Dhe që ka në plan që të zbrazet vendi, e këtu të vijnë afrikanë e sirianë”, u shpreh Bardhi. Drejtuesi Politik i PD për Qarkun e Elbasanit, ndau disa ide më të rinjtë për modelin politik që duhet të vijë në fuqi. Ai tha se Shqipëria i ka të gjitha shanset që të ofrojë një jetë dhe një të ardhme të mirë për secilin.

“Në politikë ecet me besim. Nëse na jepni besim për të marrë drejtimin dhe realizuar angazhimet që kemi marrë para jush, ne, unë pas 4 vitesh, vij këtu e jap llogari. Po doli se nuk i kemi mbajtur ato angazhime, mos na votoni më, edhe sikur të jeni demokratët, ose bijtë e demokratëve më të thekur”, tha Bardhi.

Ai shtoi se është koha për të bërë një analizë, e për t’i bërë një bilanc qeverisë që po ikën, se çfarë bëri me premtimet për 300 mijë vende pune. “25 prilli është moment deçiziv, duhet të veproni, duhet të angazhoheni, duhet të nxisni dhe miqtë tuaj. Ndryshimi ndodh vetëm me pjesëmarrjen e të rinjve, me votën që duhet hedhur atë ditë”, deklaroi Gazmend Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Source link