Bosnje-Hercegovina merr dërgesën e parë me vaksina përmes COVAX

9

15:01 25/03/2021
Bosnje dhe Hercegovina të enjten ka pranuar dërgesën e parë me vaksina kundër koronavirusit të porositur në kuadër të mekanizmit COVAX.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës, arritën 23,400 doza të vaksinës së Pfizer/ BioNtech dhe gjatë ditës është planifikuar shpërndarja e 26,400 dozave të vaksinave AstraZeneca, të cilat do të mbërrijnë me aeroplan nga Stambolli, njoftoi Ministria për Çështje Civile e Bosnje dhe Hercegovinës.
Procesi i blerjes së vaksinave përmes mekanizmit COVAX ka filluar në korrik dhe kontrata u nënshkrua më 18 shtator të vitit 2020.
Mekanizmi COVAX koordinohet nga Aleanca Globale e Vaksinave (GAVI), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI). COVAX synon të sigurojë një shpërndarje të barabartë të vaksinave në vendet më të varfra të botës.
Bosnje dhe Hercegovina ka ndarë rreth 13 milionë dollarë për blerjen e vaksinave përmes COVAX, por është përballur me vonesa në dërgesat e vaksinave.
Kjo është arsyeja që dy entitetet e këtij vendi, Federata e Bosnjës dhe Republika Sërpska filluan ndaras procesin e furnizimit me vaksina.
Republika Sërpska ka ndarë 7.5 milionë euro për blerjen e 200,000 vaksinave ruse Sputnik V. Që nga ajo kohë, 42,000 vaksina Sputnik V. kanë mbërritur në Republika Sërpska.
Serbia i ka dhuruar 10,000 vaksina AstraZeneca njësisë tjetër, Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës. /REL

Linku i Huazuar