Tiranë/ Zjarr në magazinën e Qendrës Tregtare, shefi i sigurisë prej 7 orësh i bllokuar mes flakëve

29

Prej më shumë se 7 orësh, forcat zjarrfikëse po luftojnë me flakët e zjarrit që kanë përfshirë një magazinë në katin e nëndheshëm të Qendrës Tregtare“Casa Italia”, ndërsa nuk ka ende asnjë lajm mbi shefin e sigurisë, 30-vjeçarin Arjan Sala që ka mbetur i bllokuar brenda.

Sala ka humbur kontaktet prej orës 16:30 minuta ku në ambjentet e magazinës është konstatuar se kishte rënë zjarri.

30-vjeçari kishte shkuar aty për të verifikuar situatën dhe për të evakuar pjesën tjetër të punonjësve.

Pasi kanë dalë të gjithë ai ka mbetur në ambjentet e asaj dhome që shërbente kryesisht për magazinimin e atleteve që tregtoheshin në dyqanet e qendrës tregtare.

“Me datë 24.03.2021, rreth orës 16:40, tek “Casa Italia” ka rënë zjarr në një magazinë. Shërbimet e zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për fikjen e zjarrit”, njoftoi policia.

Bashkëshortja dhe familjarët e tij kanë orë që presin një lajm për të riun.

Lexo edhe Flet xhaxhai i 30-vjeçarit të ngelur brenda magazinës në flakë: U fut për të shpëtuar punëtorët, nxori ata, ngeli vetë brenda

Xhaxhai i tij në një intervistë për shkurtër për Ora News pretendoi se zjarrfikësja ka ardhur me vonesë në vendin e ngjarjes dhe se punonjësit nuk kanë bërë maksimumin për të gjetur dhe shpëtuar nipin e tij.

Nga forcat e shërbimit zjarrfikës vijon puna për vënien në kontroll të zjarrit, teksa godinën e ka “pushtuar” tymi.

“Janë 6 makina zjarrfikëse dhe forca të shumta që po punojnë prej orësh për vënien në kontroll të flakëve” raportoi gazetarja e Ora News, Nertila Dosti në orën 22:37.

Paraprakisht dyshohet se zjarri në magazinë është shkaktuar nga një shkëndije elektrike.

Në vendngjarje ndodhen dhe 2 autoambulanca dhe forca të shumta të policisë.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.



Source link