Mbi 500 dollarë u vodhën për çdo maune të Trepçës

23

Në emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet hulumtimi rreth vjedhjes së koncentratit në ndërmarrjen Trepça.

Peshorja e kësaj ndërmarrjeje ku peshohet koncentrati i plumbit dhe zinkut kishte matur sasi më të vogël sesa që ishte e ngarkuar në maune.

Peshorja, e cila gjendet në Stan Tërg të Mitrovicës, kishte matur diku rreth 340 kilogramë më pak të ngarkesës apo kthyer në vlerën monetaret diku rreth 500 dollarë amerikanë në një maune.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Enes Muzaqi, ka thënë se peshorja ka peshuar më pak në një maune për 340 kilogramë.

“Kemi dashur t’i verifikojmë maunat që janë ngarkuar dhe njërën nga maunet e kemi peshuar në 3 peshore dhe ka dalë një mospërputhje prej 340 kilogramë më pak në peshoren në flotacion mirëpo për me pa se si ka ardhur deri këtu e kemi njoftuar Njësinë e krimeve ekonomike se a ka ndërhyrje nga jashtë apo është ndonjë problem teknik”, tha Muzaqi.

“Vlera për një ton të plumbit atë ditë kur është bërë shitja ka qenë 1579  dollarë që përkthyer në vlerë  monetare i bie mbi 500 dollarë për çdo maune”, theksoi Muzaqi.

Qazim Ahmetaj, shefi i Krimeve ekonomike në Mitrovicë, ka thënë se rastin e kanë dërguar në Prokurorinë e Mitrovicës.

“Raportin e Ministrisë dhe më të gjitha shkresat tjera, rastin e kemi dërguar në Prokurorinë e Mitrovicës”, thekson Ahmetaj.

Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, ka thanë se nuk është ende në dijeni të këtij rasti.

Peshorja e Trepçës kishte qenë e kalibruar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Zyrtarët e saj e pranojnë se peshorja ka pasur kalibrim deri në korrikun e këtij viti por theksojnë se kanë gjetur se e njëjta nuk ka peshuar si duhej.

Ndërmarrja Trepça tash është duke e përdorur peshoren e Doganës së Kosovës në Mitrovicë, pasi që peshoret e kësaj ndërmarrjeje vazhdojnë të jenë të bllokuara me vendim të menaxhmentit të saj.



Huazuar nga