Daut Haradinaj propozon të formohet klubi “Kodi i Gjeneralëve”, për të mbështetur institucionet e sigurisë

15

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka propozuar që të formohet klubi “Kodi i Gjeneralëve”, të cilët do të ofronin mbështetje për institucionet e sigurisë në vend.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, tha se ideja e tij është një praktikë e shumë vendeve të NATO-s.

Qëllimi i këtij klubi siç tha ai, do të ishte mbështetja e institucioneve të sigurisë në Kosovë.

“24 Marsi është një prej datave me të rëndësishme të historisë sonë të re! 23 vite më parë pas rezistencës në Gllogjan, UÇK-ja filloj luftën frontale në Dukagjin. 22 vite më parë UÇK-së dhe luftës sonë iu bashkua edhe NATO-ja, me të cilën bashkërisht e arritëm lirinë e Kosovës. Pikërisht në këtë ditë të shënuar historike, kam vendosur të dal me një projekt-ide për themelimin e një klubi që do të bashkonte të gjithë gjeneralët dhe ish-drejtuesit e institucioneve të sigurisë, të cilët nuk janë më aktivë”, shkruan Haradinaj.

Haradinaj shton se “Ideja ime është qe ky organizim ose klub qe është praktikë e shumë vendeve të NATO-s, të quhet “Kodi i Gjeneralëve”. Anëtarë nderi të këtij klubi mund të jenë edhe ish-gjeneralë të NATO-s, të cilët kanë ndihmuar lirinë e Kosovës dhe ndërtimin e institucioneve tona të sigurisë”.

“Qëllimi i këtij klubi që do të funksiononte si një OJQ jofitimprurëse është që përmes ekspertizēs dhe bagazhit qe bartin gjeneralët dhe ish-drejtuesit e institucioneve të sigurisë, të mbështesin institucionet tona të sigurisë, në avancimin dhe profesializmin e punës se tyre, në përafrimin e tyre me NATO-n dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar të sigurisë, promovimi i traditës ushtarake të Republikës së Kosovës, vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), mbrojtjen e dinjitetit të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me institucionet qeverisëse: qendrore, lokale, agjencitë dhe shoqatat tjera në Republikën e Kosovës, bashkëpunimi me shoqatat dhe organizatat simotra ndërkombëtare me qëllim të promovimit të interesave dhe vlerave kombëtare të Republikës së Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Sipas Haradinajt këto qëllime do të arriheshin përmes organizimit të seminareve, tribunave, konferencave dhe organizimeve të ndryshme, studime shkencore dhe profesionale të luftës së UÇK-së, debateve, qëndrimeve, analizave dhe rekomandimeve nga fusha e sigurisë dhe interesave kombëtare, veprimtari multimediale dhe publicitare.

“Këtë ide e kam diskutuar më shumë miq dhe kolegë të cilët e kanë mbështetur dhe kanë dhënë sugjerimet e tyre të vlefshme. Bashkë me ta në ditët në vijim do ta formësojmë këtë projekt”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/



Huazuar nga