Covid-19 i merr jetën regjisorit dhe skenaristit të njohur, mesazhi prekës i djalit

17

Djali i skenaristit dhe regjisorit Kujtim Gjonaj ka publikuar një mesazh emocionues për babain e tij, i cili u nda nga jeta ditën e sotme.

Teksa e quan babain e tij një idhull, Genti Gjonaj shkruan se ai kaloi shumë peripeci shëndetësore, por nuk arriti që të mbijetonte.

“Kujtim Gjonaj, babai im, idhulli im, gjyshi i urtë dhe i dashur i fëmijëve të mi, i fëmijëve të motrës, Valbona, dhe vëllait Martin, ndërroi jetë qetësisht në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Kaloi me dinjitet shumë peripeci shëndetësore, shumë vështirësi jetësore, dha shumë në jetë, me dijen e vet, humanizmin, vlerat e pamata, por sot në 18.30 datë 28 shkurt 2021, u nda nga kjo jetë”, shkruan ai.

Ai njofton se varrimi do të bëhet nesër në orën 14:00, ndërsa për shkak të situatës së Covid -19 homazhet do të bëhen në një moment të dytë.

“Ne, fëmijët e tij, miqtë e tij do t’i japim nesër një strehë tjetër, pranë prindërve të vet që i deshi aq shumë. Ceremonia e varrimit do të jetë nesër në orën 14.00, në Sharrë, duke u nisur nga shtëpia e funeralit Alba, tek Medreseja. Nderimet për të, në një moment të dytë dhe gjithë jetën. Me peshën e një kumti kaq të dhimbshëm, ju falënderoj për mesazhet e ngushëllimit… Ju ardhshim për gëzime…”, mbyll postimin djali i skenaristit Kujtim Gjonaj.

Lexo edhe:

Shkurti, muaj i zi/ Mbi 29 mijë infektime dhe 406 viktima nga Covid-19

Kujtim Gjonaj u shua ditën e sotme në moshën 74-vjeçare.



Source link