Dibër – 30 vite në pritje të emrave shqip!

37

“JNA”, “Vellko Vllahoviq”, “Mosha Piade”, “Boris Kidriç”… janë disa nga emrat që shqetësojnë dibranët, por këtë nuk e kuptojnë organet qendrore, thonë përfaqësues të pushtetit vendor në Dibër. Ky irritim është edhe më i madh për dibranët kur emrat e rrugëve dhe shkollave në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë janë ndryshuar brenda një muaji, ndërsa ndryshime nuk pranohet të ndodhin në Dibër

Vjollca SADIKU

Dibër, shkurt – Komuna e Dibrës, edhe pse nëpërmjet institucioneve të saj ka qenë e angazhuar të ndryshojë emrat e rrugëve që përfaqësojnë shtetin jugosllav, deri tani kjo nuk ka ndodhur. Më se tre dekada janë bërë tentime të kalojë lista me emrat e ri që është përpiluar nga Këshillat e komunës, megjithatë lista nuk ka marrë dritë jeshile nga institucionet qendrore të vendit, shkruan gazeta KOHA.

Rreth këtij problemi ka patur debate të nxehta si në Këshillin e Komunës, ashtu edhe në takimet e shoqatave qytetare. Për fat të keq, emrat serb dhe komunist vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë në rrugët e Dibrës. “JNA”, “Vellko Vllahoviq”, “Mosha Piade”, “Boris Kidriç”… janë disa nga emrat që shqetësojnë dibranët, por këtë nuk e kuptojnë organet qendrore, thonë përfaqësues të pushtetit vendor në Dibër. Ky irritim është edhe më i madh për dibranët kur emrat e rrugëve dhe shkollave në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë janë ndryshuar brenda një muaji, ndërsa ndryshime nuk pranohet të ndodhin në Dibër.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Dibrës, Bashkim Mashkulli, për gazetën “KOHA” thotë se problemi i ndryshimit të emrave të rrugëve qëndron tek Qeveria. “Dibra nëpërmjet institucioneve lokale tre herë ka dërguar listë të miratuar nga Këshilli i Komunës për ndryshimin e emrave që janë përdorur në sistemin komunist Jugosllav. Në kontinuitet është kërkuar ndryshimi i emrave, të cilët janë zëvendësuar me emra të ri që i takojnë historisë së Dibrës dhe dibranëve, por deri sot problemi qëllimisht zvarritet”, akuzon Mashkulli, ndërsa shton se një situatë e këtillë është irrituese për popullatën.

“Kemi patur shumë kontakte me Qeveritë e deritashme, të cilët nuk kanë dhënë dritë jeshile për emrat e ri të miratuara nga pushteti lokal. Emrat e propozuara që janë në listë me të vërtet janë objektive”, thotë Mashkulli, ndërsa sqaron se në përgatitjen e listave kanë qenë të angazhuar jo vetëm personat që merren me politikë, por edhe persona adekuat në këtë sferë. Këto lista kanë kaluar në Këshillin e Komunës duke marrë edhe votat edhe të paraparë me Badinder, konkretisht votat e këshilltarëve joshqiptarë. “Megjithatë, përkundër kësaj, deri tani nuk kemi marrë një përgjigje pozitive nga Qeveria”, thotë Mashkulli. Ai potencon se në listën më të re të emrave të propozuar janë “Jashar Erebara”, “Kongresi i Dibrës”, “Kongresi i Manastirit”, “Iljas pash Dibra”, “Shuip Kobeci”, “Zija Mersoski”, “Tanas Topallovski”…, gjë që tregon se ka një objektivitet të emrave të propozuar nga të cilët nuk cenohet asnjë etni apo qytetarë.

Me qëllim që të tejkalojmë problemin e zvarritjes, thotë Mashkulli, shumë shpejt Këshilli i Komunës Dibër përsëri do të debatojë rreth këtij problemi dhe do t’i drejtohemi sërish Qeverisë. “Do ti ndërmarrim të gjitha aktivitetet që kjo Qeveri, t’i lejojë Dibrës të përdor emrat e ri të rrugëve dhe të paraqesim historinë dhe përcaktimin e qytetarëve dhe përfundimisht të heqim emrat që i takojnë të së kaluarës. Besojmë se aktualisht kemi një qeveri demokratike dhe presim që të kuptojë kërkesën demokratike të Dibrës”, thotë ai, ndërsa përmend shembullin me ndryshimin e emrave të shkollave në Dibër. “Sa i takon ndryshimit të emrave të shkollave në Dibër – kemi patur mirëkuptim nga institucionet qendrore meqë kërkesat kanë qenë objektive dhe në përputhje me Ligjin. Iniciativat kanë qenë të Këshillit të shkollës të miratuara në Këshillin e komunës dhe të dërguara në adresë të Ministrisë së Arsimit. Gjimnazi i Dibrës ‘Zdrafko Çoçkovski’ tani mban emrin ’28 Nëntori’ dhe nëntëvjeçarja ‘Bashkim Vëllazërimi’ tani quhet ‘Penestia’”, tregon Mashkulli. (koha.mk)