Dibër – Mikroplastika po rrezikon lumenjtë dhe liqenet

249

Pikërisht kohëzgjatja e asgjësimit të plastikës është një rrezik i madh për mjedisin jetësor. Dr. Ilijovski thekson se mikroplastika, tashmë e pranishme në lumenj dhe liqene të Maqedonisë, është shumë e imët dhe është problematike asgjësimi i saj, ndërkohë që lehtë konsumohet nga peshqit. Veç kësaj, në masë të madhe dëmtohet edhe fauna që jeton në ujëra

Vjollca SADIKU

Dibër, shkurt – Në Republikën e Maqedonisë së Veriut mikroplastika në ujëra është prezente. Në disa territore të vendit, prania e mbeturinave të plastikës është më i madh e në disa të tjera – më i vogël. Mbetjet plastike, për fat të keq ndotin ujërat të lumenjve, liqeve, por shpeshherë edhe burimet të cilët përdoren për pije. Qeset dhe shishet plastike i gjejmë kudo të hedhura. Mbetjet plastike duke marrë parasysh prezencën e tyre dekadave të fundit, të njëjtat kanë shkaktuar probleme të mëdha ekologjike në të gjithë territorin e vendit. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, rreziku më i madh vjen pikërisht nga përdorimi dhe hedhja e plastikës në lumenj dhe liqene, qofshin ata artificial apo natyror.

Problemi me mbeturinat plastike, sipas dr. Zllatko Ilijovski nga Instituti Ndërtimor Maqedoni, është një problem shumë serioz, meqë të gjithë shtatë llojet e plastikës prodhohen nga nafta apo nga djegiet fosile. Varësisht nga lloji i plastikës, sipas të dhënave të laboratorëve, periudha e asgjësimit varion nga disa muaj, por edhe deri më 500 vite. Ilijovski shton se pikërisht kohëzgjatja e asgjësimit të plastikës është një rrezik i madh për mjedisin jetësor. Duke komentuar mikroplastikën, Ilijovski thekson se ajo është shumë e imët dhe është problematike asgjësimi i saj, ndërkohë që lehtë konsumohet nga peshqit. Veç kësaj, në masë të madhe dëmtohet edhe fauna që jeton në ujëra.

MBETURINA TË DËMSHME NË DEPONITË E TË GJITHA KOMUNAVE TË VENDIT

Megjithatë, prania e mikropolastikës duket të jetë problem global. Në Maqedoni, thotë dr.Ilijovski, këto mbeturina të dëmshme mund të hasen në deponitë në të gjitha komunat e vendit, qofshin ato legale apo ilegale, dhe për fat të keq – edhe në ujërat e lumenjve dhe në liqene. “Në shumë vendbanime është bërë ‘traditë’ që këto mbeturina të hidhen në afërsi të lumenjve dhe si të tilla – shkaktojnë ndotje të ujërave. Është një pamje e shëmtuar kur kalon në afërsi të lumit të bukur Radika në Rekën e Poshtme. Në ujin e kthjellët shihen shumë mbeturina plastike, të cilët lundrojnë dhe përfundojnë në ujëra tjerë”, tregon dr.Ilijovski, ndërsa vlerëson se në vendin tonë, prioritet duhet të jetë vendosja e kontejnerëve në të gjitha vendbanimet, por edhe jashtë vendbanimeve me qëllim që të bëhet edhe selektimi i mbeturinave. Në këtë drejtim, shumë shoqata qytetare në pjesën perëndimore të vendit kanë realizuar projekte të shumta për grumbullimin dhe reciklimin e mbetjeve plastike. Përdorimi masiv i qeseve dhe shisheve plastike ka shkaktuar ndotje të lumit atraktiv të Radikës dhe nëpërmjet ujërave të këtij lumi, ndotjet nga masat plastike përfundojnë në liqenin e Dibrës.

Shoqata ekologjike “Deshati, Qendra për Zhvillim të qëndrueshëm të bashkësive, por edhe Hidrocentrali “Spilje”, vite me radhë çdo fillim-pranvere organizojnë pastrimin e bregut të Liqenit të Dibrës nga mbeturinat plastike. Sipas Goce Ljubinovskit nga Qendra për zhvillim të qëndrueshëm të bashkësive, nëpërmjet lumit Radikë, por edhe përroskave që vijnë nga Komuna rurale Qendër Zhupë në Liqenin e Dibrës, derdhen sasi të mëdha të plastikës. Ai thotë se sidomos gjatë stinës së pranverës, kur janë prezent reshjet e shiut, deponitë e egra që janë prezent në periferitë e fshatrave të rajonit të Rekës së Poshtme përfundojnë në Radikë dhe pastaj edhe në Liqenin e Dibrës. Ljubinoski potencon se ndotja nga mbetjet plastike shkakton probleme të mëdha të ujërave në këtë rajon të vendit. Shoqatat ekologjike dibrane shpeshherë së bashku organizojnë aksione vullnetare për pastrimin e mbeturinave në bregun e liqenit të Dibrës. Edhe përkundrejt aksioneve të shumta, sipas shoqatave në fjalë, ndotja e Radikës dhe ndotja e liqenit të Dibrës vazhdon.

Edhe shoqatat ekologjike nga Komuna Mavrovë Rostushë pohojnë faktin se prania e mbetjeve plastike në këtë komunë është e madhe. Mbetje plastike ka në liqenin e Mavrovës, por edhe në lumin e Radikës. Përroskat që vijnë nga fshatrat Zhirovnicë, Bitush, Jançe, e tjera – janë për plot me qese dhe shishe plastike, meqë në këtë rajon ka shumë deponi të egra. Lumi me epitet kombëtar – Radika, për fat të keq mbushet shpesh me plastikë të karakterit mikro, por edhe mikro. Mikroplastika dëmton drejtpërdrejt edhe jetën e peshqve të këtij rajoni. Për fat të mirë, analizat të institucioneve kompetente tani për tani nuk kanë zbuluar prezencë të mikroplastikës në burimet nga ku furnizohen me ujë banorët e të tre komunave të këtij rajoni perëndimor të vendit. Komuna Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë janë të bindur se ndotjet plastike kanë krijuar probleme të shumta në ndotjen e ujërave të rajonit. Pikërisht angazhimi i përbashkët mund të jetë rrugëdalje për të parandaluar vazhdimin e ndotjes nga mikroplastika në lumenj dhe liqene në këto tre komuna. Kryetarët e të tre komunave – Hekuran Duka i Dibrës, Arjan Ibraim i Qendër Zhupës dhe Medat Kurtovski i Mavrovë Rostushës tashmë kanë paralajmëruar edhe projekte të përbashkëta.