“Super gruaja” e përditshmërisë, Xhemile Fetaji-Uka

8

“Të gjithë qeshim në të njëjtën gjuhë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Shkruaje këtë!”, thotë Xhemile Fetaji-Uka, e cila është nderuar më 1 gusht 2020 nga ish presidentja Simonetta Sommaruga

Monday, 22 February 2021 – 21:35
albinfo.ch

Të tjerëve do t’u duheshin dhjetë jetë për të arritur atë që arrin Xhemile Fetaji-Uka: ajo bashkon njerëzit. E palodhur, e informuar dhe mbi të gjitha: me zemër të ngrohtë. Sidomos në kohën e Covid-19 por jo vetëm, shkruan blick.ch në një portret të frymëzuar, kushtuar aktivistes së shquar me rrënjë nga Gostivari.
Përmes organizatës profesionale “Perspective Thurgau”, ajo ka informuar migrantët mbi Covid-19, masat mbrojtëse, bllokimin dhe rekomandimet e fundit federale, trasnmeton albinfo.ch. Të gjitha këto në shqip përmes Whatsapp dhe Zoom.
“Të gjithë qeshim në të njëjtën gjuhë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Shkruaje këtë!”, thotë Xhemile Fetaji-Uka, e cila është nderuar më 1 gusht 2020 nga ish presidentja Simonetta Sommaruga në Rütli për punën e saj gjatë krizës Covid-19 si njëra nga “heroinat e përditshmërisë”.
Për të është me rëndësi edhe kjo: “Që njerëzit të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, pavarësisht nga origjina, pavarësisht nëse janë online ose jashtë linje, pavarësisht nëse janë fetarë apo jo. Mbi të gjitha, edhe Adami dhe Eva ishin migrantë”, shprehet zonja Fetaji-Uka
Lidhje midis institucioneve dhe migrantëve
Fetaji-Uka ilustron atë që thotë ajo: Në bllokimin e parë, ajo ka organizuar të ashtuqajturat “Stammtische” (tryeza) virtuale, në kuadër  të shoqatës së grave “Femme- Tische” për gratë migrante në bashkëpunim me organizatën profesionale “Perspektive Thurgau”.
Pas punës së saj të zellshme si specialiste logjistike në Migros, ajo përdorte Whatsapp, Zoom dhe platforma të tjera për të siguruar informacione mbi Covid-19, masat mbrojtëse, bllokimin dhe rekomandimet e fundit federale dhe shumë informacione të tjera, në gjuhën shqipe, për çdo mbrëmje.
Këshillat se çfarë duhet bërë me fëmijët gjatë gjithë ditës kur shkollat ​​janë të mbyllura ishin po aq problematike sa edhe ato për shëndetin mendor. Po ashtu edhe kultivimi i marrëdhënieve kur të gjithë, për shkak të koronës, duhet të rrijnë, papritmas në shtëpi gjatë gjithë kohës.
Nëna e dy fëmijëve, një djali dhe një vajze adoleshente, jo vetëm që u bë një pikë kontakti e rëndësishme midis organeve zyrtare dhe migrantëve, por edhe një lidhje për pothuajse të gjitha fushat e jetës, një kujdestare shpirtërore dhe shpesh një mik, përcjell albinfo.ch. Kjo gjithashtu e ka ndihmuar shumë, thotë 40-vjeçarja.
Ajo ka mësuar shumë gjëra që nuk i dinte më parë dhe ka bërë shumë miq të rinj.
“Unë thjesht i dua njerëzit”, thotë ajo, dhe bashkëbisedimi me video me të konfirmon se ajo është me zemër të madhe, e interesuar për njerëzit dhe shumë e informuar, trasnmeton tutje albinfo.ch. Me të mund të flisni me orë të tëra për Zotin, botën dhe politikën.
Por Fetaji-Uka gjithashtu di shumë për botën. Ajo e di se çfarë do të thotë të jesh zviceran dhe e di po ashtu se çfarë do të thotë të jesh migrant.
E bija e prindërve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut është rritur në Steckborn TG. Ka përfunduar për profesionin e e logjistikës në Bernina dhe, me burrin e saj, ka krijuar dhe drejtuar një kompani paketimi në Maqedoni me mbi 200 të punësuar.
Dy lot
“Por në një moment thjesht u bë e pamundur politikisht të vazhdoje drejtimin e fabrikës” thotë ajo dhe pendohet: “Imagjinoni që fabrika jonë ka siguruar jetesën e 600 ose më shumë njerëzve” dhe i  pikon një lot nga syri kur e thotë këtë.
Ajo lëshon një lot të dytë kur tregon se si ishte ndier kur u nderua më 1 Gusht nga presidentja e atëhershme Simonetta Sommaruga.
Për shkak se Fetaji-Uka ka ende shumë për të thënë, tryeza virtuale Femmes nuk është e vetmja gjë që ajo ka bërë në kohën e saj të lirë që kur është kthyer në Zvicër para tetë vitesh. Ajo ka mbledhur donacione me shoqatën “Children Smile” (Buzëqeshja e Fëmijëve), të cilën ajo e ka bashkë-themeluar, dhe ka ndërtuar një shkollë në Siri dy vjet më parë.
Në SP Thurgau ajo ulet është në kryesi ndërsa ka humbur zgjedhjet për këshillin kantonal vetëm për dy vota. Ajo është gjithashtu në bordin e Forumit të Grave Kreuzlingen – dhe aktualisht është në procesin zgjedhor për përkujdesjen e  shkollave.
Po kështu ajo ka një llogari në Instagram me vajzën e saj në të cilën ndan receta dhe ide gatimi.
Heronjtë në filma shpesh kanë super fuqi. Nëse shikoni jetën e Fetaji-Ukës, edhe ajo duhet të ketë me të vërtetë një fuqi të tillë, përcjell albinfo.ch. Atë që ajo tashmë e ka arritur në moshën 40 vjeçare, të tjerët nuk mund ta arrijnë për dhjetë jetë të tyre. Vendi ka nevojë për më shumë Fetaji-Uka!”, përfundon gazeta

LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI

Burimi i lajmit