Dibër – Filloi rrënimi i shtëpive që rrezikonin qytetarët

18

Dibër, shkurt – Në Dibër ka filluar aksioni i pushtetit vendor për rrënimin të tërësishëm të shtëpive dhe objekteve të vjetra të cilët paraqesin një rrezik të madh për sigurinë të qytetarëve për shkak se janë objekte tërësisht të dëmtuara dhe të lëna pasdore nga pronarët e tyre. Komuna Dibër pas evidentimit të këtyre objekteve, ka vendosur të rrënojë dhe të bëjë pastrimin e rrugëve me qëllim që të tejkalohet rreziku për qytetarët. Kryetari i Komunës, Hekuran Duka, ka informuar se në këtë aktivitet janë angazhuar edhe makineri të disa kompanive private dhe lokale private me qëllim që aktiviteti të mbarojë shumë shpejt dhe me sukses. Ky aktivitet ka filluar duke rrënuar një shtëpi në lagjen e vjetër të “Dërmallës”, e cila tani më një kohë të gjatë po rrezikon kalimtarët e rastit në këtë lagje të Dibrës.

Pritet që aksioni të vazhdojë edhe në disa rrugë të tjera në pjesën e vjetër të Dibrës. Kryesisht janë shtëpi të lëna pasdore nga ana e mërgimtarëve dibran që jetojnë në SHBA dhe në shtetet e tjera të Evropës. Por ka edhe shtëpi dhe objekte të cilët për shkak të problemeve pronësore dhe juridike të familjarëve, janë lanë pasdore duke prit vëllai-vëllanë të ndërmerr aktivitete për rrënimin e shtëpive që rrezikojnë dibranët. Në këtë projekt të komunës janë përfshirë dhjetëra shtëpi dhe objekte me çka pritet të tejkalohet problemi me këto objekte në rrënim.

Sipas përfaqësuesve të pushtetit vendor, probleme paraqiten kur pronarët janë në SHBA dhe vite me radhë nuk kanë ardhur në vendlindje, meqë para rrënimit të tërësishëm – duhet të merret leje edhe nga pronari i objekteve. Objekte të këtilla ka edhe në lagjet Varosh, Namazgjar, Tikvarcë, por edhe në disa rrugë në pjesën qendrore të Dibrës. Megjithatë, aktivitetin në fjalë e kanë përshëndetur banorët e qytetit të cilët thonë se me rrënimin e këtyre objekteve të dëmtuara dhe të pabanuara, tani tejkalohet rreziku për banorët, të cilët kanë qenë në ankth vite me radhë, e sidomos ata të cilët jetojnë në afërsi të këtyre objekteve. Për këtë problem ka debatuar disa herë edhe këshilli i Dibrës, por edhe shoqatat joqeveritare. (V.S/koha.mk)