Regjistrimi i diasporës, me të dhëna të plota dhe në formë elektronike

20

Për personat që jetojnë jashtë vendit më shumë se 12 muaj ose që jetojnë në vend por nuk ndodhen prezent gjatë momentit të regjistrimit, do të mund të jepen edhe të dhënat për përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore nga personi i afërt që i njeh më mirë të dhënat e tyre. Këtë e konfirmojnë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës Apostoll Simovski si dhe zv/drejtori Ilmi Selami, disa ditë pasi në opinion u paraqitën paqartësi rreth mundësive që buronin nga ligji dhe metodologjia e regjistrimit.

Përfundimisht, personi që do të japë të dhëna për dikë tjetër, si dëshmi mjafton të posedojë numrin amë të personit që regjistron, duke mos pasur nevojë për asnjë dokument tjetër. Po ashtu, personi që do të japë të dhëna për dikë tjetër, si dëshmi për vërtetësinë e të dhënave duhet të lejë edhe numrin e tij amë. Në rast të të dhënave të rreme, të dhëna qëllimisht, personi do të mbajë përgjegjësi ligjore.

Por, një muaj përpara fillimit zyrtar të regjistrimit në vend konkretisht duke filluar nga 1 marsi, shtetasit që jetojnë jashtë vendit më gjatë se 12 muaj, do të mund të regjistrohen edhe personalisht, në mënyrë elektronike, nëpërmjet aplikacionit që do të vendoset në dispozicion nga Enti i Statistikës. Kjo mundësi do të zgjasë deri në mbylljen përfundimtare të regjistrimit, më 21 prill.

Aplikacioni, nëpërmjet numrit amë, do të detektojë personat për të cilët do të bëhet regjistrim i dyfishtë, edhe në mënyrë elektronike, edhe personalisht nga një i afërm që jetojnë në vend. Për këto raste, nga Statistika thonë të dhënat do të merren prej aty ku janë më të plota dhe më të sakta.

Regjistrimi, në tërësi si operacion do të bëhet nëpërmjet kombinimit të metodës në terren dhe kryqëzimit me bazat e të dhënave të 10 institucioneve.

Regjistrimi shtëpi-më-shtëpi do të bëhet nga data 1 deri më 21 prill. Regjistruesit do të përdorin pajisje me softuer të veçantë për të cilin Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale siguron mekanizma mbrojtës.

Përveç popullsisë, do të regjistrohen edhe amvisëritë dhe banesat.

Fatlume Dervishi


Burimi