Rritja drastike e numrit të automjeteve, sipas kompetentëve, ka të bëjë edhe me lirimin e tregut dhe mundësinë për të transportuar automjete nga vendet perëndimore. Pothuajse çdo muaj, sidomos para pandemisë, nga Gjermania, Zvicra, Austria, Italia por edhe Bullgaria, në Dibër bliheshin automjete

 Vjollca SADIKU

Dibër, shtator – Dy vitet e fundit, si asnjëherë deri tani, Dibra është për plot me automjete. Pothuajse nuk ka familje pa ndonjë automjet. Nëse sot një i huaj viziton Dibrën, në rrugët e saj më shumë do të sheh automjete se sa qytetarë. Largimi i të rinjve në perëndim dhe tregu i lire i automjeteve bëri ndryshime të mëdha në jetën e dibranëve. Sipas të dhënave të institucioneve kompetente, të cilat na i prezantoi eksperti në këtë sferë profesor Dr. Abyl Koleci, i cili një kohë të gjatë është në komisionin për siguri të komunikacionit në Komunën e Dibrës, aktualisht në Dibër numri i veturave është 3400, numri i kamionëve 80 dhe kompanitë dibrane që merrem me transport të udhëtarëve posedojnë 15 autobusë. Sipas Kolecit, është një numër i madh i automjeteve, i cili flet qarët për rritjen e dukshme të tyre në familjet dibrane. Po ashtu sipas tij, duhet theksuar edhe faktin se ka një rritje të dukshme edhe të motorëve, të cilët përdoren nga ana e të rinjve. Sipas informatave që ai posedon, në Komunën e Dibrës ka mbi 40 motorë me mbi 50 cm3.

Rritja drastike e numrit të automjeteve, sipas kompetentëve, ka të bëjë edhe me lirimin e tregut dhe mundësinë për të transportuar automjete nga vendet perëndimore. Pothuajse çdo muaj, sidomos para pandemisë, nga Gjermania, Zvicra, Austria, Italia por edhe Bullgaria, në Dibër bliheshin automjete. Blerja e automjeteve realizohej nëpërmjet kompanive për shitblerje, por edhe në mënyrë private, duke ju mundësuar dibranëve të sigurojnë automjetet në tregjet e jashtme me ndihmën e të afërmve të tyre. Sot, pikërisht për këtë shkak, në Dibër mund të shihen automjete të shumta të markave të ndryshme. Kjo do të thotë se në Dibër më nuk mund të shihen vetura të vjetra apo automjete transportuese të kompanive të Republikave ish Jugosllave.

Interesimi dhe mundësia për të blerë automjete ka të bëj edhe me çmimet e ulëta të tyre që praktikohen në vendet e BE-së. Viti i prodhimit të këtyre automjeteve mund të jetë nga viti 2000 deri 2016. Vlen të theksohet edhe fakti se ka edhe familje që kanë probleme sociale, por që mund të shihen automjete në oborret e tyre. Ka familje të cilat kanë edhe nga dy apo tre automjete private. Duhet theksuar edhe fakti se të rrallë janë dibranët, të cilët blejnë automjete të reja nga sallonet e vendit. Një gjë të tillë kryesisht e bëjnë pronarët e bizneseve ose udhëheqës të ndryshëm.

Lidhur me këtë temë, është pozitive se tani kompanitë dibrane autobusët dhe kamionët e mëparshëm i kanë zëvendësuar me automjete të brendeve botërore, të cilët posedojnë siguri dhe kualitet të lartë. Prandaj, edhe kompanitë për transport të udhëtarëve si në vend ashtu edhe jashtë vendit, organizojnë udhëtime të sigurta dhe komode, kurse kompanitë për transport të mallrave tani drejtojnë automjetet moderne. (koha.mk)