Presidenti Ilir Meta ka bërë publik qëndrimin e tij mbi vonesat dhe problematikat në bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Në një letër të dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, si dhe disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, si Kuvendi i Shqipërisë dhe Avokati i Popullit, Meta ka evidentuar problematikat, anomalitë dhe vonesat e pajustifikuara, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit, si dhe marrjen e masave emergjente për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Sipas presidentit, është e papranueshme që KLGJ-ja “në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht ende nuk ka mundur të përmbyllë shqyrtimin e vetëm një kandidature të ngelur në garë për këtë vend vakant”.

Sipas tij “çdo veprim që nuk shkon paralel me kërkesën dhe nevojën jetike që ka vendi, do të kuptohet si veprimtari e qëllimtë për bllokimin e funksionimit si të Gjykatës së Lartë ashtu dhe të Gjykatës Kushtetuese, çka kërkon mbajtjen e përgjegjësive ligjore nga çdo funksionar”.

Ndërkohë edhe për KED, Presidenti i Republikës thotë se “nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar se cilat janë pengesat në veprimtarinë e KED-së dhe çfarë e ka frenuar këtë organ që të përfundonte shqyrtimin e kandidaturave për këto tri vende vakante”.



Linku Origjinal