Agjencitë e Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë për krizë humanitare në Liban pas shpërthimit shkatërrues në Beirut. Libani ishte i zhytur në një krizë ekonomike edhe para shpërthimit që shkaktoi të paktën 154 viktima, dhe la mbi 300 mijë të pastrehë.

 75 përqind e banorëve ishin në nevojë për ndihme, 33 përqind e tyre të papunë, dhe 1 milion njerëz jetonin në skamje. Programi botëror i ushqimit, WFP,  është i shqetësuar se dëmtimi i portit të Bejrutit do të ndërpresë furnizimet me ushqim dhe do të çojë në rritje të çmimeve.

Ndërkohë, organizata botërore e Shëndetësisë bën të ditur se sistemi shëndetësor është dëmtuar rëndë, me tre spitale që kanë dalë jashtë funksionit.

Libani po përjeton gjithashtu rritje të rasteve me Covid-19, por 17 kontejnerë me maska dhe veshje mbrojtëse për stafin mjekësor që ishte dërguar në Beirut nga OBSH, u shkatërruan plotësisht në shpërthim.

 Shumë vende janë ofruar të ndihmojnë Libanin me shtetet e bashkuara që njoftuan të premten se kishin planifikuar të dërgonin 15 milionë dollarë ushqime dhe medikamente.

Ndërkaq, presidenti libanez Mishel Aoun refuzoi thirrje për një hetim ndërkombëtar lidhur me shpërthimin dhe tha se autoritet lokale do të shqyrtonin nëse ai ishte shkaktuar nga një forcë e jashtë, si përshembull një bombë.

Hassan Nasrallah

Lideri i grupit militant të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, mohoi gjithashtu pretendimet se kishte magazinuar armë apo municione në port.



Linku origjinal