Organizatorët në bashkëpunim me regjisorët e filmave shqiptarë u kanë mundësuar të gjithë mërgimtarëve qasje në platformën online të DokuFest

E Premte, 7 Gusht 2020 – 16:20
albinfo.ch

Festivali i njohur i filmit dokumentar dhe të shkurtë “DokuFest”, për shkaqe të ditura, këtë vit nuk do të ketë edicionin e tij tradicional, “fizik”. Por, siç thotë për albinfo.ch Eroll Bilibani, udhëheqës i DokLab, në përpjekje për të ruajtur vazhdimësinë dhe traditën e mirë të krijuar tashmë, organizatorët kanë vendosur të ofrojnë për publikun, versionin online të festivalit.

Dhe, në këtë kontekst, festivali i njohur po provon t`i krijojë qasje edhe publikut nga diaspora, i cili ka një rol të rëndësishëm në suksesin e deritashëm të DokuFestit.

albinfo.ch ka qenë vitin e kaluar partner medial i festivalit DokuFest, sa i takon programit special që festivali kishte përgatitur për diasporën. Bashkëpunimi i suksesshëm vazhdon edhe këtë vit, ndonëse në rrethana të ndërlikuara.

“Edhe këtë vit DokuFest ka menduar për diasporën shqiptare e cila jeton në Zvicër dhe Gjermani. Ndonëse virtualisht, festivali ynë ka krijuar programe të veçanta të cilat do të jenë të qasshme vetëm për diasporën tonë”, thotë z. Bilibani për albinfo.ch.

“Duke e ditur se një numër i madh i mërgimtarëve nuk kanë mundur të vijnë në Kosovë për shkak të pandemisë si dhe duke e pasur parasysh se sivjet festivali nuk do të mbahet fizikisht, organizatorët në bashkëpunim me regjisorët e filmave shqiptarë u kanë mundësuar të gjithë mërgimtarëve qasje në platformën online të DokuFest”, thuhet në njoftimin për media nga organizatorët e festivalit.

Gara kombëtare e cila është e përbërë prej filmave shqiptarë nga regjisorë që jetojnë gjithandej botës, në vete përmban 10 filma të shkurtë dhe dokumentarë, të ndarë në dy programe. Shumica e filmave janë premierë dhe prezantohen për herë të parë nëpërmjet platformës së Dokufest-it. Shikuesit nga Zvicra dhe Gjermania do të kenë mundësi t’i përcjellin filmat nga data 7-15 Gusht ndërsa detajet më të hollësishme për qasje në platformë mund t’i gjejnë në faqen tonë:

pako

Për këtë edicion, DokuFest gjithashtu do të ofrojë disa pako të filmit falas. Programi ‘Future is Here’ përmban 8 filma të shkurtë, të prodhuar nga DokuFest, të realizuar nga të rinjtë e Kosovës të cilët kanë trajtuar tema të ndryshme sociale e personale me të cilat ballafaqohet rinia kosovare.

Ky vit shënon vitin e 8 të projektit ‘Future is Here’ përmes të cilit DokuFest u mundëson të rinjve të shkollave të mesme realizmin e filmave, edukimin bazë në teknikën dhe teorinë e filmit si dhe u jep të rinjve mundësinë e shprehjes së problemeve nëpërmjet gjuhës së filmit. Programi është i qasshëm falas për të gjithë botën prej datës 7-25 Gusht 2020″, përfundon njoftimi i bërë nga Eroll Bilibani, drejtues i DokuLab.

 

 





Source link