Në tregun kurbaneve çmimet të një kurbani variojnë nga 80 deri në 130 euro, që do të thotë se ka një ulje të çmimit në krahasim me Kurban Bajramin e vitit të kaluar kur çmimet varionin nga 130 madje deri 200 euro. Po sipas Ames, këtë Kurban Bajram vlerësohet se do të shiten afër 2 mijë dhen për kurban që do të thotë se shumë më pak se sa gjatë Kurban Bajramit vitin e kaluar kur janë shitën 3500 dhen

Blegtorët dibran, të cilët planifikonin që këtë Kurban Bajram të shesin më shumë dhen, atë nuk e arritën, por njëkohësisht janë të pakënaqur edhe nga ulja e çmimit drastik të kurbanëve. Situata në fjalë drejtpërdrejt ndikon në humbjen financiare të blegtorëve, të cilët si duket – nuk ka mundësi të realizojnë planet e tyre financiare për këtë vit kalendarik.  Tradicionalisht, familjet pa probleme sociale në Dibër dhe rrethinë dekada me radhë therin kurban dhe mishin e ndajnë në përputhje me normat fetare muslimane. Po ashtu, një pjesë e mirë e kurbaneve theren me pajtimin dhe kërkesën të mërgimtarëve tanë, të cilët praktikojnë t’u sjellin deviza të afërmve të tyre, kurse ata të therin kurban në emër të mërgimtarëve, kryesisht anëtarë të familjeve të ngushta. Kjo dukuri është prezente edhe këtë vit, por në numër më të vogël.

Të theksojmë se ka dibran, të cilët vlerën e kurbaneve e paguajnë në Myftininë e Dibrës, meqë ashtu kanë përcaktuar që të respektojnë aspektin fetar, por jo edhe të therin kurban. Në Myftininë e Dibrës theksojnë se tanimë janë drejt përfundimit të përgatitjeve për festën e Kurban Bajramit. Këtë vit, siç dihet, për shkak të pandemisë, besimtarët musliman nuk do të udhëtojnë për në vendet e shenjta Mekë dhe Medinë në Arabinë Saudite. Viteve të kaluara, mesatarisht për në haxh nga Myftinia e Dibrës shkonin nga 50 deri në 70 haxhilerë. (koha.mk) – Vjolca Sadiku