Një peticion online i cili i drejtohet Apple duke i kërkuar që të tregojë shtetin e Kosovës dhe kufijtë e saj territorialë në hartë, ka marrë më 180 mijë nënshkrime numri i të cilët rritet nga momenti në moment.

Shërbimi i hartave Apple Maps, i ngjashëm me Google Maps, aktualisht e tregon Kosovën brenda kufijve të Serbisë dhe kjo ka ngjallur edhe reagimin e Shqiptarëve në mbarë botën.

Reagimet nisën kur para pak ditësh këngëtarja e njohur Shqiptare në Britani Dua Lipa shkruante në profilin e saj Instagram duke i kërkuar Apple që ta njohë Kosovën në hartat Apple Maps.

Po në Instagram e më pas në Twitter postoi një foto të hartës së Shqipërisë së Madhe duke nxitur reagime të tjera. Thirrjeve ju bashkua edhe këngëtarja tjetër Shqiptare në Britani Rita Ora.

Më 23 Korrik përmes një letre zyrtare në drejtim të Drejtorit Ekzekutiv të Apple Tim Cook, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj i kërkonte ekzekutiv që harta e Kosovës të vendosej në Apple Maps dhe mungesa e saj lëndon ndjenjat e Shqiptarëve të Kosovës të cilët kanë humbur shumë në përpjekjet e tyre për pavarësi.

Reagime pati edhe nga ana tjetër e kufirit Shqiptar, ku Ministri Shqiptar i Punëve të Jashtme Gent Cakaj gjithashtu i ka dërguar letër shefit ekzekutiv Tim Cook.

Kosova njihet si shtet sovran nga 112 shtete të Kombeve të Bashkuara si SHBA, Britania, Franca, Gjermania, Japonia, Italia dhe Kanadaja dhe që prej 2008 është shtet i pavarur me integritetin e saj territorial.

Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbështet deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Mijëra Shqiptarë janë dyndur drejt peticionit i cili do të kalojë shifrën e 200 mijë nënshkrimeve ndërsa ju ftojmë edhe juve lexues tanë të dashur ti bashkoheni kësaj nisme.

Facebook, Twitter, Linkedin dhe së fundi Spotify e njohin Kosovën si shtet sovran e të pavarur.

Në shërbimin e Google Maps, Kosova shfaqet e ndarë nga Serbia por kufiri është me vijë të ndërprerë që nënkupton se është territor i kontestuar.

Reagime ka pasur edhe në rrjetin social Reddit dhe forumet e Apple. Nuk është hera e parë që Apple përfundon në situata të tilla. Rast konkret është situata në Krime dhe Sevastopol të cilat në hartat e Apple shfaqen si pjesë të Rusisë.

Nënshkrimi i Peticionit: https://www.change.org/p/apple-put-kosovo-on-apple-maps





Linku origjinal