Edita Tahiri që dikur drejtonte bisedimet me Serbinë në Bruksel, thotë se parimi i reciprocitetit ekziston në të gjitha marrëveshjet e Kosovës me Serbinë në kohën sa ajo ka qenë kryenegociatore.

Sipas saj, Kurti është dashur të respektojë reciprocitetin e përfshirë në ato marrëveshje, dhe në atë mënyrë nuk do të cenohej partneriteti me aleatët ndërkombëtarë.

Në një intervistë për KosovaPress, ish-ministrja për dialog thotë se Vetëvendosjes i mungon kultura e bashkëpunimit dhe se nuk ka aftësi diplomatike për të ruajtur marrëdhëniet ndërkombëtare.

Duke folur për rrëzimin e qeverisë dhe përpjekjen e partive politike për të formuar një qeveri të re, Tahiri thotë se duhet pritur dhe respektuar në plotëni vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Tahiri thotë se zhvillime të tilla politike nuk është dashur të ndodhin në kohë të pandemisë, ndërkohë shton se është treguar mungesë e përvojës në qeverisje dhe se Vetëvendosje nuk ka traditë bashkëpunimi.

“Çdo qeveri i meriton 100 ditë për t’u dëshmuar, mirëpo këtu u tregua mungesë e përvojës në qeverisje dhe partia që i fitoi zgjedhjet, Vetëvendosje nuk ka pasur traditë të bashkëpunimit me partitë e tjera sepse kanë qenë vazhdimisht të pozicionuar kundër çdo gjëje, dhe kjo iu hakmor Vetëvendosjes kur erdhën për të qeverisur bashkë me të tjerët sepse u ka munguar kultura e bashkëpunimit ndërqeveritar dhe u ka munguar kultura e partneritetit, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në planin ndërkombëtar”.

“Ata ishin të koncentruar gjithmonë të fushatat e veta, të grumbullimi i votave, por ja që në demokraci nuk mjafton vetëm të fitosh votat, por pastaj duhet të kesh aftësi për të qeverisur dhe u pa që nuk e kanë, besoj do ta mësojnë për të ardhmen”, thotë Tahiri.

Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë thotë se Vetëvendosje nuk ka treguar aftësi diplomatike për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas saj, platformat e mëhershme të këtij subjekti, u janë bërë pastaj pengesë për qeverisje efektive.

 





Source link