Programi i USAID-it “Përkrahja e adoleshentëve pas mësimit të rregullt” është program pesëvjeçar i udhëhequr nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) i cili ka për qëllim zhvillimin e shkathtësive të punës dhe ndërmarrësisë tek të rinjtë e Kosovës.

Drejtoresha e këtij programi Valmira Haxhaj-Gushlla ka treguar në Sytë 7 në Klan Kosova  se cili është qëllimi i programit.

“Qëllimi është që t’i pajisim të rinjtë e Kosovës me shkathtësitë për jetë dhe punë për shekulli 21. Janë bërë studime të shumta dhe  është parë që kryesisht të rinjtë, jo vetëm në Kosovë, kanë mangësi të shkathtësive të buta – puna ekipore, komunikimi, bashkëpunimi, hulumtimi dhe të tjera – të cilat nuk i përfitojnë gjatë shkollimit parauniversitar dhe duhet t’i dinë nëse duan të jenë efektiv në vendin e punës në shekullin 21”.

Ajo ka thënë se ky program ka fokus gjimnazistët, derisa ka shpjeguar më në detaje se si bëhet implementimi i tij.

“Ne jemi fokusuar te gjimnazet, për shkak që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me donatorët e tjerë kemi vërejtur që ka më shumë investim te Shkollat Profesionale, derisa ka përkrahje te shkollat fillore. Bashkëpunojmë me 16 gjimnaze në 16 komuna të Kosovës”.

“Qëllimi ka qenë t’i pajisim gjimnazet me ‘hapësira krijuese’ ku nxënësit kanë mundësi që gjatë orëve të rregullta ose gjatë fundjavës të kyçen në projekte kreative. Janë të pajisura me pajisje moderne, si printer 3D, makinë qepëse e kompjuterizuar dhe pajisje të tjera të ndryshme elektronike ku nxënësit mund të shprehin kreativitetin e tyre me projekte të ndryshme”.

“Qëllimi është që nxënësit kur ta kryejnë gjimnazin të kenë informata dhe të mund të provojnë profesione të ndryshme që të jenë më të përcaktuar se çfarë profesioni do të vazhdojnë në të ardhmen”.

Por, si e ka ndryshuar pandemia zhvillimin e programit “Përkrahja e adoleshentëve pas mësimit të rregullt”?

“Kemi vërejtur kreativitet te ekipi, qasja e donatorëve ka qenë shumë e mirë ashtu si edhe bashkëpunimi me shkollat partnere në mënyrë që të ndryshojmë dhe të bëjmë diçka për nxënësit në këtë kohë. Ministria e Arsimit ka mundësuar që mësimi të organizohet online, derisa ka pasë iniciativa prej komunave dhe shkollave që të sigurohen që nxënësit të mos mbesin prapa me mësime dhe të jenë të angazhuar në aktivitete”.

“Në këtë kohë nxënësit kanë qenë shumë kreativë bashkë me mentorët e tyre duke organizuar dhjetëra sesione online me profesionistë të ndryshëm”.

Ajo ka treguar edhe se cilat janë profesionet më të pëlqyera që të rinjtë kosovarë duan t’i kenë në të ardhmen.

“Te gjimnazistët vërehet dëshira më e madhe për mjekësi dhe shkencat në përgjithësi, por akoma është e ulët te fusha e teknologjisë informative edhe pse është trend botëror ku do të ketë edhe më shumë vende të punës në të ardhmen”.





Source link