Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se në asnjë deklaratë të tij nuk ka bërë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ishte deklaruar nga vetë gjykata.

“Unë me asnjë veprim apo deklaratë timen si president i vendit nuk kam aluduar, prejudikuar, apo pretenduar që të bëj presion në vendimin që do të dalë në ditët e ardhshme, pasi edhe Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se do të dal deri me datën 29 maj. Pra nuk ka pasur ndonjë prejudikim apo deklaratë apo veprim presioni. Sido që të jetë, ajo deklaratë e dalë nga Gjykata Kushtetuese, pavarësisht kompetencave të mija kushtetuese dhe ligjore sepse si president i vendit, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet, unë e kam për obligim të siguroj dhe garantoj funksionimin demokratik të institucioneve të vendit, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, por në të njëjtën kohë Gjykata Kushtetuese nuk është ajo që përcakton autoritetin dhe kompetencat e Presidentit të vendit, por përgjegjësitë e mija burojnë nga kushtetuta dhe ligjet” tha Thaçi.

Ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin, tha se gjykata ka bërë një barasvlerësim mes deklaratave të tij dhe Kurtit, duke mos e bërë dallimin me kompetencat e presidentit.

“Ka qenë një deklaratë për të bërë një barasvlerësim mes veprimeve të kryeministrit dhe duke mos bërë dallimin me kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentit të vendit, kështu që ritheksoj edhe një herë, në asnjë deklaratë, në asnjë germë, në asnjë deklarim as të shkruar e as me gojë nuk ka pasur pretendim, prejudimkim apo presion ndaj Gjykatës Kushtetuese” tha Thaçi.

Tutje presidenti bëri thirrje për respektim të vendimeve të gjykatës, teksa theksoi se edhe subjekti pjesë e së cilit ishte dikur, i ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe kur ato nuk i kanë konvenuar.

“Nuk dëshiroj që të humbim kohë më shumë në këtë temë, unë edhe më herët dhe gjitha përvojat tregojnë se ne kemi respektuar në përpikëri me durim edhe kur nuk na kanë pëlqyer vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe edhe sonte mesazhi im për gjithë spektrin kosovar, shoqërinë civile, mediet dhe të gjithë është që t’u japin mbështetje institucioneve të pavarura të vendit dhe në asnjë rrethanë të mos pretendojmë që të kemi ndonjë ndikim apo presion krejt të panevojshëm, me synim pretendimi për ndikim në vendimmarrje.

“Nuk e kuptoj synimin, por nga ajo që lexoj, më tepër ka qenë një tentim barasvlerësimi, duke mos e bërë dallimin e kompetencave në rrafshin profesional të presidentit të vendit që ka për obligim sigurimin dhe garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe presionin e deklaruar nga ana e kryeministrit ndaj gjykatës”

Sipas Thaçit, kërkesa e Gjykatës Kushtetuese që të mos i bëhet presion nga kryeministri në detyrë dhe presidenti, doli pas postimit të Kurtit për Gardën Vullnetare Kombëtare

“Ajo deklaratë doli pas deklaratës së kryeministrit që ia drejtoi opinionit publik ku përmendi gjykatës, emrat e gjyqtarëve, prejudikimet e ndryshme, prandaj nuk di se ku lidhej emri im aty si president i vendit në raport me deklarimin e kryeministrit dhe pretendimi për të bërë krahasime të tilla. Por si do që të jetë, askush nuk duhet të pretendoj të ushtroj presion”.

“Nuk ka njeri në botë që mund të gjejë deklarata presioni nga ana ime, as nga organet e drejtësisë, as në raport me Gjykatën Kushtetuese përkundrazi vetëm i kam mbështetur dhe kam kërkuar të mos ketë presion”

“Vetë e dhëna që dekretin tim Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar, askush të mos mendoj se më ka pëlqyer ai vendim, por jam i obliguar ta respektoj dhe nuk e komentoj”.





Source link