Michael Doyle, zëdhënës i Gjykatës Speciale në Hagë, konfirmoi të hënën e kësaj jave për Klan Kosovën se ky institucion do ta vazhdojë mandatin e tij të punës edhe përtej gushtit të këtij viti kur edhe bëhen 5 vjet prej kur Gjykata Speciale mori dritën e gjelbër për të nisur punën.

Në bazë të amendamentit kushtetues për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, thuhet se “Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar” do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin Nr 04/L-274 bëhet më herët.

Në bazë të Ligjit Nr 04/L-274 tregohet se si mandati i Gjykatës Speciale vazhdon deri sa Këshilli i Bashkimit Europian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se ka përfunduar procedurat hetimore, e që shihet qartë se një njoftim i tillë do të bëhet më vonë e jo më herët sesa gushti i 2020-ës.

Lidhur me çështjen e mandatit për Klan Kosovën ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila sa ka qenë deputete e opozitës bashkë me partinë e saj kanë kundërshtuar fuqishëm ngritjen e një institucioni të tillë. Ajo tha se respekton vendimin e Hagës për vazhdimin e mandatit të Speciales, meqë puna e saj nuk mund të përfundojë vetëm me kërkesën e institucioneve kosovare.

“Në këtë kontekst na paraqiten dy situata juridiko-kushtetuese të cilat nuk mund t’i mbivendosen njëra-tjetrës. Së pari, sepse marrëveshjet ndërkombëtare mund të shfuqizohen sipas mënyrës së ratifikimit të tyre dhe në përputhje me të drejtën e Traktateve dhe Konventën e Vjenës”.

“Pavarësisht mospajtimit tonë me Gjykatën Speciale, pushtetet e kaluara, të njëjtën e kanë përbrendësuar dhe si rrjedhojë e kësaj, pavarësisht, që në amendamentin kushtetues thuhet se mandati i saj është 5 vite, ekziston marrëveshja ndërkombëtare sikur më lartë që pamundëson tërheqjen e njëanshme”.

Shefja në detyrë e dikasterit të Drejtësisë ka treguar se që nga marrja e mandatit të saj nuk ka zhvilluar asnjëherë takime dhe as komunikime me ndonjë përfaqësues të Dhomave të Specializuara në Hagë, as për çështjen e mandatit por as të tjera.

Klan Kosova ka raportuar edhe gjatë ditës së djeshme lidhur me vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale dhe nënkryetari i shoqatës së Avokatëve të Gjykatës Speciale, Artan Qerkini, ka bërë të ditur se si juridiksioni kohor mund të përdoret si argument i fortë nga ana e mbrojtësve të të ftuarve të Speciales për t’i kundërshtuar aktakuzat e mundshme që pritet të ngriten.

Sipas Qerkinit një arsye e tillë nga mbrojtësit mund të përdoret edhe për aktakuzat që ngriten pas muajit Gusht por edhe për ato që tashmë janë ngritur dhe që po procedohen nga ana e gjyqtarit francez të procedurës paraprake, Nicolas Gillou.

Përmbajtja e këtyre aktakuzave, deri sa këto të konfirmohen nga ana e gjyqtarëve, është tejet konfidenciale.





Source link