Gjykata e Apelit ia ka rritur dënimin me burg të akuzuarit Visar Qukovci, për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, dhe “keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 27 dhjetor 2019, për këto dy vepra penale, të akuzuarin Qukovci e kishte gjykuar me pesë vite e gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Mirëpo, me aprovimin e ankesës së Prokurorisë dhe aprovimin e pjesshëm të ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit, Apeli vendosi që të ndryshonte aktgjykimin e nxjerrë në shkallë të parë sa i përket vendimit mbi dënimin.Prandaj, Apeli mori vendim që të akuzuarit Qukovci, për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, dhe “keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, t’i shqiptohet dënimi unik prej shtatë vite e gjashtë muaj burgim.

Në këtë dënim, sipas vendimit të Apelit do të llogaritet edhe koha që i akuzuari e ka kaluar në ndalim (pranë shtetit të Sirisë) nga 29 dhjetori 2017 e deri me 19 prill 2019.Gjykata e Apelit, në aktgjykimin e 6 marsit, duke i vlerësuar pretendimet ankimore të prokurorisë ka gjetur se gjykata e shkallës së parë ka shqiptuar dënim nën minimumin e paraparë ligjor për veprën penale të pjesëmarrjes në grupe terroriste.

“Kjo Gjykatë arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë i vlerëson si të drejta kur argumenton rrethanat lehtësuese dhe rrethanat rënduese, megjithatë kur kihet parasysh fakti për sa i përket veprës penale, të Pjesëmarrjes apo organizimit në grupin terrorist, kjo Gjykatë gjen po ashtu disa rrethana që janë po ashtu rënduese, e që si të tilla ndërlidhen me rrethanën e kryerjes së veprës penale – që konsistojnë në, faktin se i akuzuari nuk ishte dorëzuar vet me datë 29.12.2017, por rezulton se ai ishte arrestuar, pra kjo tregon qartë këmbëngulësinë e tij për aktivitet brenda grupit terrorit të ISIS-it e kjo padyshim për këtë gjykate e zbeh edhe pendimin e tij që gjykata e ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese, rrethana tjetër si rënduese po ashtu rezulton në faktin se në të vërtetë nga shkresat e lëndës i akuzuari ka pasur dy aktivitete paralele, pra në njërën anë se ishte anëtarë i armatosur i grupit ISIS dhe po ashtu ishte edhe me funksionin e infermierit që rezulton si provë raporti i FBI-së.

Për këto arsye kjo Gjykatë vlerëson faktin se shqiptimi i dënimit nën minimumin e paraparë ligjor për këtë vepër penale, përkundër pranimit të fajësisë nuk është në përputhje me qëllimin e dënimit, andaj edhe është ndryshuar dënimi duke i shqiptuar dënim në minimumin e paraparë ligjor” thuhet në vendimin e Apelit.Po ashtu, Apeli i ka vlerësuar si të bazuara edhe pretendimet e prokurorisë, për shqiptimin e një dënimi më të lartë ndaj të akuzuarit Qukovci, për veprën penale të braktisjes apo keqtrajtimit te fëmijëve.

Ndërsa, Apeli ka aprovuar vetëm pjesërisht ankesën e ushtruar nga mbrojtja dhe atë sa i përket llogaritjes së kohës së ndalimit të të akuzuarit në dënimin me burg të shqiptuar.

“Kjo gjykate i gjen të bazuara pretendimet vetëm për sa i përket llogaritjes së kohës së ndalimit në dënimin e shqiptuar. Siç rezulton nga shkresat e lëndës i akuzuari është shpallur përgjegjës për periudhën kohore nga data 28.06.2014 e gjer në kohen kur i njëjti është arrestuar nga forcat demokratike siriane, pra me datë 29.12.2017 ku i njëjti ka qenë i ndaluar gjer me datë 19.04.2019 kur edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Pra gjendja e fakteve që gjykata e shkallës së parë e ka konstatuar në aktgjykim kur e ka shpallur fajtor të akuzuarin rezulton se ai është ndaluar në Siri, e po ashtu rezulton se ky ndalim – arrestim është bërë për shkak se i njëjti ishte pjesë e grupit terrorist Isis. Fakti se i akuzuari ishte ndaluar pikërisht për shkak të pjesëmarrjes në grup terrorist është e qartë për këtë Gjykatë, pasi që kjo rrethanë provohet nga Raporti i FBI-së, me nr “Dokumenti numër. KS – … i datës 19, shtator 2018 i cili konstaton se, i akuzuari është arrestuar me datë 29.12.2017 për shkak të pjesëmarrjes në grup terrorist, por edhe fajtor është shpallur për të njëjtën vepër penale e që nënkupton brenda periudhës që është përfshirë në aktgjykim edhe koha e ndalimit të tij nga forcat demokratike siriane” thuhet në arsyetimin e kësaj gjykate.

Në fund, Apeli ka arsyetuar se dënimi me burg i shqiptuar ndaj Qukovcit do të ndikoj në arritjen e qëllimit të dënimit, duke e parandaluar atë në kryerjen e veprave të tilla në të ardhmen dhe në parandalimin e personave tjerë të kryejnë vepra penale të tilla, si dhe një gjë e tillë, sipas Apelit, shpreh edhe gjykimin shoqëror dhe ngritjen e moralit për forcimin e detyrimit për respektimin e ligji.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 10 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Visar Qukovci për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së dhe “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, nga neni 250, paragrafi 4 të KPRK-së.

Fillimisht, ai akuzohet se më 28 qershor 2014, së bashku me tani të ndjerin Arbnor Ukzmajli, me paramendim dhe me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka kaluar në territorin e Maqedonisë, pasi ka marrë udhëzimet për mënyrën e rrugëtimit nga Irfan Aqifi.

Sipas aktakuzës, thuhet se kanë udhëtuar përmes rrugëve ilegale nëpër Bullgari e Turqi, ku më pas kanë arritur në Siri dhe në pjesën kufitare janë pritur nga pjesëtarët e ISIS-it, dhe pas identifikimit dhe regjistrimit në formular, si pjesëtar i kësaj organizate ka vijuar trajnim përkatës ku edhe më pastaj ka punuar si infermier në spitalet ushtarake të ISIS-it.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se gjatë kësaj kohe ka qenë i pajisur me uniformë ushtarake, pushkë automatike, si dhe me jelek me eksploziv, duke propaganduar përmes fotografive dhe incizimeve, organizatën terroriste ISIS, e që edhe më 29 dhjetor 2017, është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Qukovci, më 8 shtator 2017, në zonat e konfliktit në Siri, në shtëpinë ku përkohësisht ka banuar, si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka detyruar fëmijën e tij U.Q, i moshës tre vjeçar që të përfshihet në aktivitetet ku rrezikohet apo dëmtohet zhvillimi i fëmijës, në atë mënyrë që i vendos jelekun me eksploziv, duke i dhënë edhe pushkën automatike në dorë, e duke i thënë “merre kallashin dhe gjuaj bam, bam”, e që të gjitha këto veprime i ka incizuar me kamerë. /BetimipërDrejtësi/





Source link