12:08, 19 Maj 2020

Në 21 vjetorin e rënies së heroit të kombit Abdullah Tahiri, kryetari i  Gjilanit Lutfi Haziri ka bërë sot homazhe tek lapidari në Malishevë dhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan për të nderuar jetën dhe veprën e lavdishme të tij,

Haziri ka thënë se viti 2020 i kushtohet me të gjitha aktivitetet kulturore heroit Abdullah Tahiri.

“Viti 2020 është vit i heroit të kombit Abdullah Tahirit të cilit ia kushtojmë të gjithë kalendarin kulturor, përkuljen tonë, të nxënësve, prindërve, shoqatave të veteranëve dhe administratës shtetërore. Sot në këtë kohë pandemie kujtojmë ditën e rënies së Abdullahit dhe Arbenit. Komuna e Gjilanit do të vazhdojë punën në përmbylljen e projektit të shtatores së Abdullah Tahirit që ka qenë e paraparë të përfundohet në këtë ditë, mirëpo për shkak të përballjes me pandeminë këtë e kemi shtyrë për një datë tjetër historike në bashkëpunim me familjen dhe shoqatat e luftës”.

“Është dita dhe koha kur duhet të mendojmë për sakrificën e madhe që dhanë për themelet e lirisë dhe pavarësisë së kësaj Republike, që duhet ta ruajmë si të shenjtë dhe me besim në Zot duhet të vazhdojmë të punojmë në të mirën e secilit. Lavdi i qoftë!”.

Ndërsa, ish-komandanti i ZOK Ahmet Isufi ka thënë se kujtimi i Abdullahut dhe Arbenit është mall dhe krenari njëkohësisht, sepse ata ranë që qytetarët e këtij vendi të jetojnë e të zhvillohen.

Në emër të familjes ka folur Adonis Tahiri i cili në 21 vjetorin e rënies së axhës së tij ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit duke uruar që përkundër dallimeve që mund të kemi duhet të punojmë të gjithë së bashku që ta çojmë deri në fund amanetin e dëshmorëve.​





Source link