10:01, 18 Maj 2020

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini thotë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër shumë shpejt mund të krijohet qeveria e re e Kosovës.

Sipas tij kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka refuzuar që të dërgojë emrin e mandatarit dhe kjo ka prodhuar një situatë të re.

“Mendoj se çështja është jo aq e lehtë por e fokusuar. Kushtetua e Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 e ka sqaruar që presidenti ka të drejt të jap mandatin një partie tjetër nëse partia më e madhe dështon me e krijua qeverinë ajo çka nuk është shkruar se sa kohë i ka partia e parë për ta dërguar emrin e mandatarit. Situata në Kosovës është goxha e qartë zotëri Kurti ka refuzua me dërgua mandatar, dhe po refuzon me dërgua mandatar”.

“Tani Gjykata Kushtetuese duhet të vendos se cila ka qenë koha ose a janë në rregull rrethanat në të cilat presidenti e ka mandatua zotërinë Hotin për kryeministër. Zotëri Kurti e ka bërë të qartë se nuk dëshiron me dërgua mandatar, ose donë me mbetur në detyrë vetë ose do me shkua në zgjedhje. Ndërsa, Kushtetua i jep të drejtë presidentit dhe Kuvendit me tentua me krijua qeveri të re. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese qeveria mund të krijohet shumë shpejt”, tha Gjini për KosovaPress.

I pyetur se a ka gjasa që marrëveshja LDK-AAK-Nisma të shihet si mundësi për një koalicion parazgjedhor, Gjini tha se për këtë çështje nuk kanë biseduar, kurse nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me LDK-në në nivelin lokal.





Source link