Ende nuk kanë nis të implementohen të gjitha masat e Pakos Emergjente Fiskale edhe pse nevojat emergjente të bizneseve dhe qytetarëve janë të mëdha pas masave shtrënguese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Përveç masës së 3-të për pagat e punëtorëve, bizneset të cilat kanë pasur vështirësi financiare në këtë kohë pandemie, ende nuk kanë përfituar nga kjo pako.

Përderisa, Banka Botërore ka paraparë një rënie ekonomike për vendin rreth 5 përqind dhe një tkurrje të konsiderueshme ekonomike të shkaktuara nga Covid-19, Ministria e Financave dhe Transfereve ende nuk ka dizajnuar të paktën një draft-pako për rimëkëmbje ekonomike.

Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi thotë në një intervistë për Pakon II që ka të bëjë për rimëkëmbje ekonomike, kërkohet një bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit për ndryshim plotësim të ligjeve përkatëse, rishikim të buxhetit dhe për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Krasniqi ka folur edhe për rrjedhën e Pakos Emergjente, që sipas tij, deri tash mbi 100 mijë punëtorë kanë marrë pagën 170 euro, ndërsa përgatitjet janë duke u bërë për të gjitha masat tjera që kanë të bëjnë kryesisht me punëtorë dhe ndërmarrësi.

Ai bëri me dije se masa 3b) për subvencionimin e qirasë deri në 50 përqind për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe masa 15-të pagesa për asistencë mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, pritet të nisin përgatitjet shpejt për implementim.

“Besoj rreth 100 mijë personave do t’i realizohen pagesat deri në këtë moment, por mbesin edhe një numër tjetër që janë duku u verifikuar listat dhe besoj që brenda javës masa 3a) me u përmbyllë. Krahas saj janë duke u verifikuar edhe masat tjera, aplikimi që kanë ndodhur për masën 3b) për qira, për masën 7, për ata që kanë humbur vendet e punës si dhe masa 14 dhe 15 këto nuk kanë filluar ende, por besoj që kemi me përgatit që me fillua implementimi edhe i masave tjera në mënyrë që të themi një muaj komplet me i përfshirë të gjitha masat, duke i përjashtuar disa masa që nevojiten disa përgatitje që kanë të bëjnë për ndërmarrjet publike, për likuiditet për ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Kulturës”.

Për sa i përket Pakos për rimëkëmbje ekonomike, Krasniqi thekson se edhe pse është formuar Komisioni i prirë nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve dhe i përbërë nga ministrat e linjës, ende nuk ka asgjë konkrete për këtë çështje.

Ai thotë se është duke u diskutuar se diku prej 50 deri 80 përqind e Fondit me qenë pjesë e garantimit të kredisë.

“Diçka konkrete nga Komisioni nuk ka, janë vetëm idetë brenda Ministrisë dhe atyre nga shoqatat e bizneseve. Pakoja ka me qenë e fokusuar në tri katër elemente kryesore. Elementi i parë është në pako një pjesë e vogël do të jetë grante, kryesisht për biznese të cilat kanë probleme fillestare për me vazhdua aktivitetin e vet, por fokusi kryesor ka me qenë tek garantimi i kredive dhe subvencionimi i normave të interesit. Nëse flasim për numra që kemi dëgjuar prej 200-300 milionë që jepen nga përfaqësues të shoqatave deri në informatën që keni dëgjuar prej Qeverisë, deri në 1 miliard që do të jetë pakoja për rimëkëmbje ekonomike. Por ta sqarojmë se kjo ka me qenë komplet infuzioni financiar që ka me qenë për sektorin privat dhe publik. Në mënyrë që duke ndarë një pjesë të fondeve qeveria kryesisht nga kredimarrja, është duke u diskutuar se diku prej 50 deri 80 përqind Fondi me qenë pjesë e garantimit të kredisë. Si mundet bëhet kjo? Kjo mund të bëhet përmes fondit për garantim të kredive, duke rritë kapitalin që është brenda Fondit ose edhe duke marrë Qeveria një pjesë të garantimit të kredive krahas fondit”.

Krasniqi ka thënë se sa më shpejtë që arrihet të përmbyllet kjo pako për rimëkëmbje ekonomike, humbjet janë më të vogla në ekonomi, mirëpo për këtë duhet pasur unitet politik dhe bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit.

“Edhe për pakon emergjente, por gjithsesi për pakon për rimëkëmbjen ekonomike nevojitet një koordinim dhe bashkëpunim në mes Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për arsye se duhet të bëhet ndryshimi plotësimi i ligjeve, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, ndryshe kjo mund të vonohet dhe çdo vonesë është fond më i vogël, multiplikatori ekonomik zvogëlohet, dëmet rriten. Sa më shpejt që arrijmë me përmbyll këtë pako emergjente, por edhe këtë pakon për rimëkëmbje ekonomike humbjet janë më të vogla dhe mundësitë për me zvogëlua recesionin ekonomik janë më të mëdha nëse intervenojmë shpejt”, deklaron Krasniqi.

Ndryshe, afati për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale që ka 15 masa, është mbyllë më 15 maj.

Ndërkohe, ende nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara nga pandemia në ekonominë e Kosovës, por mësohet se deri tash pasojat në këtë sektor arrijnë mbi gjysmë miliardë euro./kp/





Source link