15:51, 16 Maj 2020

Disa qytetarë sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë përfunduar aksionin e tyre të shënimit të pikave të kuqe si shenjë për tu vendosur protestuesit në rast se organizohet ndonjë protestë në kohë të pandemisë Covid-19, njofton Klan Kosova.

Edhe ditën e mërkurë të kësaj jave, organizatat Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, kishin realizuar pika të njëjta në pjesën qendrore të sheshit me të njëjtin qëllim atë të vendosjes së njerëzve nëse mbahet ndonjë protestë në kohën e pandemisë.

Ky aksion i së mërkurës ishte mbështetur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por organizimi i ditës së sotshme nuk është mbështetur nga ata.

Zëdhënësi për media në LVV, Arlind Manxhuka, ka thënë për Klan Kosova se nuk janë në dijeni për një aksion të tillë.

Po ashtu Klan Kosova ka kontaktuar edhe organizatat Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe ORCA të cilët thanë se nuk kanë as ata informacionet për aktivitetin e sotëm.

Ndërsa pjesëmarrësit që krijuan këto pika thanë se nuk janë duke bërë ndonjë organizim të ndonjë partie apo organizate në parim ata thanë se janë vetëm qytetarë dhe se këto po i bëjnë në formë vullnetare.





Source link