22:42, 16 Maj 2020

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, iu ka bërë lutje bashkëvendasve të tij që të kenë kujdes dhe të mos i keqkuptojnë lehtësimet e masave.

Lutja e tij erdhi pasi në raportin e sotëm të Institutit të Shëndetësisë Publike nga 23 raste, 16 ishin nga kjo komunë, njofton Klan Kosova.

“Bashkëqytetarë, virusi COVID-19 ende po vërtitet rreth nesh e për fat të keq po shënon raste të reja. Lehtësimi i masave si duket, ka hasur në disa keqkuptime. Tash kur Ferizaj po njeh sërish raste të reja me COVID-19, ju lus shmangni ndejat familjare, daljet në sheshe e rrugë pa nevojë, krijoni distancën fizike e shtoni kujdesin për higjienën personale”.

“Ju e doni Ferizajn, bëjeni për çdo familje ferizajase duke nisur nga familja juaj, mbroni shëndetin e tyre e duke qëndruar në shtëpi e respektuar rregullat e sjelljes, radhituni në frontin e luftës së përbashkët kundrejt këtij virusi. Gjithëçfarë ju ka munguar, si rëndom para virusit, do ta shijoni së shpejti, porse fillimisht lypset ta normalizojmë situatën duke respektuar sjelljen në kohë pandemie. Unë e di, besoj tek ju, ne bashkë do ta mundim këtë rrezik!”.





Source link