Greqia po përgatitet të hapë 515 plazhe duke filluar nga e shtuna ndërkohë që ditët e nxehta të verës duket kanë mbërritur në vend.

Por gjithçka do të bëhet nën masat strikte të distancimit social për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ndaj, punonjësit e resorteve kanë filluar të punojnë për të garantuar distancën e nevojshme mes vizitorëve. Një maksimum prej 40 personash mund të lejohet në një hapësirë 1 mijë metra katror plazh ndërsa çadrat e diellit duhet të vendosen katër metra larg njëra tjetrës. Shezllonët do të spërkaten me dezinfektant pas çdo përdorimi dhe nuk do të ketë shërbime për kafe apo pije.

Greqia po aplikon rregulla strikte në plazh edhe pse e ka kaluar relativisht butë krizën me 152 viktima të raportuara deri më sot dhe gjithsej 2744 raste. Vendi filloi të dalë nga izolimi që më 4 maj dhe kryeministri Qiriako Micotaqis ka thënë se do të bëjë gjithçka që mundet për të garantuar që sezoni turistik të mund të fillojë nga 1 korriku. Qeveria po i jep sidoqoftë dorën e fundit planit të rihapjes ndërkohë që restorantet dhe kafenetë do të rifillojnë punë më 1 qershor ndërsa hotelet nga fundi i qershorit. Turizmi në Greqi zë 12 për qind të produktit të brendshëm bruto, shifër kjo e ngjashme me Spanjën.


Top Channel





Source link