DURRËS

Një numër i madh banorësh janë sensibilizuar me banorët e pallatit 1062, në lagjen 7 në Durrës, i cili ka pësuar dëmtime dhe është marrë vendimi për t’u prishur ndonëse ata prisnin rikonstuksionin. Që në pikë të mëngjesit dhjetëra forca të policisë bashkiake dhe IMT së bashkisë së Durrësit, kanë rrethuar pallatin dhe iu kanë kërkuar banorëve të largohen në mënyrë urgjente.

Në krye të tyre ka qenë Arbër Braho, nënkryetari i bashkisë, i cili iu tha banorëve të dalin jashtë shtëpive në mënyrë urgjente. Një grua iu ka kërkuar punonjësve të shtetit të mos prishin pallatin plot me njerëz, por të shkojnë të prishin pallatin e saj që është i braktisur si pasojë e dëmtimeve të rënda. Gruaja i lutet inspektorëve por është e kotë.

“Hajdeni prisheni shtëpinë time prishni pallatin tim tek dyqani i Dylit, jo këtu duke nxjerrë jashtë banorët që s’kanë asnjë faj”, thotë gruaja. Banorët kanë reaguar duke iu kërkuar punonjësve një dokument për arsyen e daljes dhe të prishjes së pallatit të tyre. Por përveçse verbalisht punonjësit e shtetit nuk kanë sjellë asnjë dokument, ndërsa iu kërkojnë të lënë banesat e tyre.
Kryetarja e bashkisë Emirjana Sako ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të banorëve duke thënë se vendimi për prishje është marrë nga këshilli bashkiak dhe rindërtimi pritet të nisë së shpejti.
“’Do të kërkojmë që në të njëjtin vend të ndërtohet pallati e të strehoheni po aty. Ja kam bërë kërkesën ministrit Ahmetaj. Kam kërkuar që pallati tek Baronsi, pallati i Vip-ave dhe pallati ku banoni ju të jenë projektet e para me të cilat nis rindërtimi në Durrës nga tërmeti”, u tha Sako banorëve.
Një pjesë e banorëve nisën të zhvendosen ndërsa një pjesë kërkojnë që bashkia të bëjë një marrëveshje përpara prishjes së pallatit, që banorët do të strehohen pikërisht në të njëjtin vend me rindërtimin e pallatit të ri.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb





Source link