Për të mundur koronavirusin, është e domosdoshme që qeveritë dhe kompanitë farmaceutike të angazhohen që të garantojnë që vaksinat, testet dhe terapitë, të jenë falas dhe të shpërndahen njëlloj për të gjithë, në të gjitha vendet e botës.

Apeli është lëshuar nga Oxfam, që nënvizon se për të vaksinuar gjysmën më të varfër të popullatës së botës, 3.7 miliardë persona, duhen më pak para nga sa 10 kompanitë më të mëdha shumëkombëshe farmaceutike fitojnë në vetëm 4 muaj. Oxfam, konfederata botërore e organizatave jo fitimprurëse që lufton varfërinë, thotë se vetëm të bashkuar mund të fitohet kjo sfidë me sëmundjen, një sfidë në të cilën askush nuk shpëton nëse nuk do të shpëtojnë të gjithë. Krahasimi mes fitimeve të kolosëve dhe kostos së shpërndarjes së një vaksine për të varfërit, është bërë nga fondacioni i Bill Gates, sipas të cilit, furnizimi i popullatës më të varfër do të kushtonte 25 miliardë dollarë ndërkohë që 10 kolosët e farmaceutikës kanë fituar vetëm në katër muaj, vitin e kaluar, 30 miliardë dollarë.

Bashkimi evropian ndërkohë ka propozuar të krijojë një mekanizëm vullnetar për negociimin kolektiv të licencave dhe patentave, terapive dhe testeve diagnostikues për të garantuar çmime të aksesueshme nga pjesa më e madhe e vendeve, përfshirë ata më të varfrit. Nisma është një hap i parë në drejtimin e duhur por akoma e pamjaftueshme. Nëse në fakt, ky mekanizëm do të bëhej i detyrueshëm, të gjithë vendet do të mund të siguronin versione të vaksinës me kosto të ulët ose ta importonin atë. Por administrata Trump po punon për të eliminuar nga zgjidhja finale këtë mekanizëm në favor të të drejtave mbi patentat e shtëpive farmaceutike që do të garantonte ekskluzivitetin e prodhimit dhe mundësinë e përcaktimit të çmimeve të vaksinave, terapive dhe testeve.

Dhe kjo, konsiderohet e papranueshme nga momenti që për të financuar punën e kërkuesve dhe zhvillimit të kompanive të mëdha farmaceutike përdoren fonde publike. Për ekspertët e Oxfam ndërkohë, vaksinat, testet dhe kurat efikase dhe të sigurta, duhet të prodhohen në shkallë globale dhe të shpërndahen pa patenta dhe me kosto të ulët. Duhet një plan global që të përcaktojë se si do të prodhohen dhe shpërndahen, duke saktësuar të gjitha garancitë e domosdoshme.


Top Channel





Source link