José Rodrigo Aréchiga-Gamboa, i njohur si “El Chino Antrax”, është arratisur pasi ishte nxjerr në arrest shtëpie.

El Chino Antrax, ka një të kaluar shumë kriminale ndërsa njihet si një nga njerëzit më besnik të El Chapo Guzman.  José Rodrigo Aréchiga-Gamboa, i njohur si “El Chino Antrax” ishte i dënuar prej vitit 2014 për vrasje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Ai vuante dënimin në një burg federal në San Diego, Kaliforni, por së fundmi ishte lënë në arrest shtëpie, raporton “CNN Espanol”.

Në një dokument të gjykatës së San Diegos, publikuar që më 8 maj, thuhet se “El Chino Antrax”, ka arritur t’ia mbathë edhe pse banesa ku qëndronte ruhej me efektivë policie. Menjëherë pas zbulimit të arratisjes, është lëshuar një tjetër urdhër arresti për Gamboan.

José Aréchiga-Gamboa, i cili më parë ka përdorur edhe emrin Norberto Sicairos-García, u arrestua fillimisht në Holandë në vitin 2013, për llogari të Shteteve të Bashkuara ku akuzohej për trafikim të kokainës dhe marijuanës nga Meksika.

Ai akuzohej gjithashtu se bënte pjesë në grupin “Los Antrax”, që shërbente si truproje për krerët e Kartelit të Sinaloas, kur ky drejtohej nga Joaquin Guzman Loera.

Por edhe pse u dënua me 7 vite e 3 muaj burg, gjykatësi kishte vendosur në mars të këtij viti që ta dërgonte me arrest në shtëpi. Ai njihej për jetën luksoze që bënte, pasi postonte shpesh foto dhe video në Instagram me makina dhe armë.

CNN në spanjisht kontaktoi me prokurorinë e distriktit të jugut të Kalifornisë dhe zyrën e DEA-s, por asnjë institucion nuk pranoi të komentonte mbi arratisjen dhe operacionin e kërkimit për “El Chino Antrax”.


Top Channel





Source link