15 maji, Dita Ndërkombëtare e Familjes ka sjellë në vëmendje problemet që prekin shoqërinë shqiptare. Rëndësia e familjes, si institucion bërthamë, vihet në përparësi, krahas detajave të tjera që përbëjnë të përditshmen tonë. Sociologu Gëzim Tushi në një bisedë direkt në Skype në “Vila 24” me Androniki Kolkën në TV “News 24” vuri theksin tek kalimi nga familja tradicionale tek ajo moderne dhe proceset që e shoqërojnë atë. Tushi tha se debati për familjen duhet të jetë më i gjërë e jo të tkurret në një datë të vetme si 15 Maji.

“Familja shqiptare ka qenë në dekada me nuanca patriakale dhe jo e demokratizuar. Ka patur probleme të brendshme, e këto e karakterizojnë tipologjinë e familjes. Procesi shoqërohet me turbulenca. Familja tradicionale anatemohet dhe shihet vetëm ana e errët e saj.”-shprehet Tushi duke shtuar se modeli tradicional ka patur plot gjëra arkaike e të papranueshme, por ka patur edhe shumë vlera si humanizmi apo respektimi i brezave. Të gjithë shqiptarët e ndiejnë që familja ka probleme. Duke analizuar zhvillimet e shoqërisë, kryesisht të familjes, Tushi sqaron për “News 24” se familja moderne është më e demokratizuar, ka ndryshuar vertikalitetin e pushtetit të saj. Ajo ka tendencë për të demokratizuar marrëdheniet e brendshme.

Kjo ka bërë që rolet e përgjegjësitë të përzihen. Marrëdheniet mes brezave kanë ndryshuar. Pyetjes nëse është më mirë të jetohet bashkë me prindërit në një shtëpi, Tushi iu përgjigj duke thënë se kalimi drejt familjes bërthamë, është progresiv pasi lehtëson presionin e jetës sot. “Lëvizin sipas tregut të punës. Nomadizmi kërkon që struktura e familjes të jetë sa më e vogël.”-sqaron ai duke theksuar se të moshuarit kanë nevojë për kujdes dhe jetesë me dinjitet. Ai ngriti shqetësimin se braktisja a vetmia për të moshuarit është e rëndë, i vret ata. Tushi tha se duhet të ruhet kordoni emocional me nipërit e mbesat pasi kjo lidhje është shumë e fortë dhe se të moshuarit kanë të drejtë të jetojnë në familjen biologjike dhe të largohen me dinjitet nga kjo jetë.

Duke iu referuar pandemisë së virusit Korona, sociologu Tushi tha se ajo i afroi njerëzit më shumë në familje duke i bërë bashkëshortët të shohin njëri-tjetrin si partner në jetë dhe prindërit të kenë më shumë kohë për të qenë me fëmijët, sikurse nuk përjashtoi edhe konflikte të shfaqura për shkak të mosmarrëveshjeve të cilat kanë degjeneruar deri në dhunë. Në fund Tushi tha se ditët e izolimit i ka kaluar pranë famijes duke shkuar librin që ka gati për botim dhe se ka qenë mjaft aktiv në media on line duke sqaruar fenomenet shoqërore që ato të mos mbeten thjesht në rrafshin empirik. Kujtojmë se Tushi ka një përmbajtje të mirë analize në librin e tij: “Martesa, familja, seksualiteti”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb





Source link