Nga: ZONJA KATERINA

500 gr makarona spegati
2 qepë
100 gr pançetë
200 gr kërpudha
½ gotë verë të bardhë
½ lç estragon ose 1 tufëz të freskët
2-3 të verdha veze
2 lgj djathë të shkrirë ose 2-3 djathë bebe
80 gr djathë kaçkavall të butë
50 gr djathë kaçkavall të fortë
4 lgj vaj ulliri
Kripë, piper

Vendosim një tenxhere me ujë të vlojë, shtojme kripë dhe makaronat të cilat i lemë të ziejnë sipas minutazhit të përcaktuar në paketim.

Ndërkohë përgatisim salcën duke vendosur fillimisht të nxehet në vatër të sobës një tigan të madh që nuk ngjit. Hedhim pançetën të prerë në copëza dhe e pjekim derisa të bëhet krokante. Sipas llojit të pançetës mund të shtojmë një lugë vaj ulliri në mënyrë që pançeta të piqet më lehtë. E largojmë pançetën nga tigani dhe e vendosim në një tas të madh.

Në po të njëjtin tigan kaurdisim qepën e grirë imët spërkatur me pak kripë dhe piper. Sapo qepa të zbutet shtojmë kërpudhat të prera në fetëza dhe vazhdojmë kaurdisjen për 1-2 minuta. Më pas i shuajmë kërpudhat me pak verë të bardhë dhe sapo të avullojë alkooli shtojmë estragonin. I trazojmë mirë dhe të gjithë përbërësit në tigan i hedhim në tasin ku kemi pançetën.

Kullojmë makaronat dhe i hedhim në tigan ku shtojmë menjëherë të verdhat e vezëve trazuar me pak nga uji i makaronave. I trazojmë duke shtuar dhe djathin e shkrirë. Shtojmë qepët e kaurdisura me kërpudha dhe pançetë, i trazojmë mirë dhe i servirim menjëherë të ngrohta spërkatur me djathë kaçkavall.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb





Source link