Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për vdekjen e 26 vjeçarit Agon Musliu në Qendrën e Studentëve të shëndërruar në karantinë, një ditë pas ardhjes nga Gjermania.

“Ishte një rast i rëndë, një fatkeqësi sidomos për familjen, por besoj për të gjithë shoqërinë tonë. Unë e kam pak a shumë idenë se çfarë ka ndodhur, por që në momentet e para kam kërkuar nga Policia e Kosovës që të vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për ta hetuar këtë rast. Kam kërkuar nga Prokuroria që ta prioritizojë zbardhjen e plotë të këtij rast dhe jam kursyer nga deklaratat të cilat do ta politizonin apo edhe do të minimizonin ose fshehin faktet rreth këtij rasti fatkeq”.

Derisa u kërkua dorëheqja morale e tij, Sveçla në Rubikon me Adriatik Kelmendin ka thënë se ministria që ai drejton nuk ka të bëjë fare me këtë rast tragjik.

“Ky rast nuk ka pasë asgjë të bëjë me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Karantina në Qendrën e Studentëve menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe përgjegjës për atë karantinë është zëvendësministri që vjen nga radhët e LDK-së. Krejt çfarë bën Policia e Kosovës është sigurimi i jashtëm i kësaj karantine”.

Sveçla ka sqaruar se kur ka shkuar njoftimi për gjenden shëndetësore të të ndjerit Agon Musliu në Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Alarmet që janë dhënë në Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme për problemet e të ndjerit kanë ardhur 13 minuta para se ai realisht të hidhej nga kati i pestë i Qendrës Studentore. Për sa i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qendrës Operative është e përcaktuar saktë me minutë se kur Qendra Operative e Gjilanit ka dërguar e-mail”.

Por, çfarë thotë ai për paralelet e ngritura në mes vdekjes së Agon Musliut në Qendrën e Studentëve dhe vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren?

“Nuk është as e drejtë dhe as korrekte që këto dy raste të krahasohen. Këto dy raste janë të pakrahasueshme. I ndjeri në karantinë ka ardhë 24 orë para se të kryente vetëvrasjen. Ka pasë tentim për anashkalim të procedurave qysh në fillim, por duke qenë se jam në pozitën që jam dhe disponoj informatat që i disponoj rezervohem t’i them ato”.

“Ka fajtor. Nuk ka dyshime nëse i ndjeri a ka bërë vetëvrasje ose jo, por se si ka ardhur deri te kjo ka fajtor”.

Sveçla ka thënë se e kupton plotësisht familjen e të ndjerit Agon Musliu të cilët ishin të mllefosur ndaj zyrtarëve shtetërorë, por ka shtuar se është i bindur se e kanë gabim.

“Ta humbasësh djalin në atë moshë është tragjedi shumë e madhe dhe e rëndë. Çdokush që është prind dhe të paktën tenton të vendoset në pozitën e tyre e kupton situatën. Nuk kam as hatërmbetje dhe as ndjenjë të hidhur nga deklarimet e familjarëve. Është e kundërta me ata që kanë dashur ta keqpërdorin atë situatë”.





Source link