Drejtori i Burgut në Berat, Hiqmet Këlliçi po ndiqet penalisht, pasi akuzohet për “Shpërdorim Detyre”. Lajmi bëhet i ditur për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’, Eneida Petova nga oficerët e SHKB-së së Burgjeve, të cilët kanë përcjellë dje në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat dosjen hetimore në ngarkim të drejtorit Këlliçi. Drejtori i Burgut të Beratit, Hiqmet Këlliçi është hetuar prej 1muaji nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Shërbimit të Brendshëm Kombëtar të Burgjeve, të cilët kanë përcjellë pranë Prokurorisë së Beratit edhe hetimet e kryera dhe provat e dëshmitë e grumbulluara.

Sipas SHKB-së së Burgjeve, Këlliçi, akuzohet se favorizonte të dënuarit për “liri me kusht” në këmbim të ryshfeteve. Në dosjen hetimore në ngarkim të tij thuhet se, ai nuk i dënonte të dënuarit që, sipas tij, duhet të përfitonin “liri me kusht”, edhe kur ata kryenin shkelje të ndryshme. Në shumë raste të tilla, edhe pse juristi i IEPV-së Berat, përgatiste praktikat dhe ja dërgonte komisionit të disiplinës, ky komision nuk mblidhej asnjëherë për rastet e të burgosurve që favorizoheshin prej tij.

Në dosjen hetimore thuhet gjithashtu se, Këlliçi ka shpërdoruar detyrën duke shfrytëzuar autoritetin e tij si drejtues institucioni për rastet e sipërpërmendura, që sipas SHKB-së janë me dhjetëra. Të pyetur në lidhje me këtë hetim, burime të Prokurorisë së Rrethit Berat konfirmojnë se çështja penale në ngarkim të Drejtorit të IEPV-së Berat ka mbërritur në prokurori ditën e djeshme dhe sot, pas hedhjet së shortit i ka kaluar për hetim njërit prej prokurorëve të këtij institucioni.

Kjo është çështja e dytë penale që po hetohet nga Prokuroria e rrethit të Beratit në ngarkim të drejtorit Hiqmet Këlliçi. Në dhjetor 2019 ai është akuzuar për “shpërdorim detyre” nga SHKB-ja, pasi shoferi i tij, me urdhër të drejtorit dhe në kundërshtim me ligjin, lejohej të takonte të dënuar të ndryshëm në qelitë e tyre për t’u siguruar favore në këmbim të ryshfeteve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb





Source link