22:04, 13 Maj 2020

Analisti Rrahman Paçarizi ka thënë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka një lloj fiksimi ndaj presidentit Hashim Thaçi.

“Në Kosovë, është një problem serioz i cili e ka përcjellë qeverisjen, e ky është obsesioni me presidentin Hashim Thaçin. Kurti është i obsesionuar me Thaçin dhe çarja e madhe me LDK-në ndodhi kur Thaçi e provokoi situatën me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Paçarizi në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që Qeveria Kurti nuk mund të fajësohet për 100 ditëshin, pasi sipas tij i është dashur të merret me menaxhimin e krizës shëndetësore.

“Në përgjithësi është e vështirë për të folur për këtë 100 ditëshin, pasi s’ka qenë normal. S’mund të flitet për suksese, por nuk mund të fajësohet kjo Qeveri për mos-suksese, për shkakun se është formuar rreth një muaj pas shpërthimit të krizës shëndetësore në Kosovë dhe ka funksionuar përveç në detyrë edhe si një Qeveri e një emergjence kombëtare”.

“Qeveria Kurti është dashur të merret me menaxhimin e një krize shëndetësore dhe pastaj ka qenë në një presion politik, qoftë në raport me partnerin e saj [LDK], edhe me ata ndërkombëtarë. Fatkeqësisht me LDK-në nuk kanë arritur t’i koordinojë veprimet, për t’ia rikthyer Kosovës imazhin e mirë në skenën ndërkombëtare. Ky është dështimi për të cilin mund të fajësohet kjo Qeveri”.

“Për shkak të rrethanave në të cilat ka funksionuar, ka qenë një shumësi e problemeve që e ka përcjell këtë Qeveri, për të cilën s’do të ishte korrekte nëse do ta lavdëronim siç e lavdëron Kurti vetveten, ose ta shanim siç e shan opozita sot”.

 





Source link