Gjatë vitit 2020 Maqedonia e Veriut do të shënojë rënie të BPV-së prej 3,5 për qind, si rezultat i pasojave ekonomike
nga pandemia e virusit korona, pas çka vitin e ardhshëm pritet që vendi të shënojë rritje ekonomike prej 5,5 për qind, bëhet e ditur në parashikimet më të reja makroekonomike të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në raportin e BERZH-it, me titull “Perspektiva rajonale ekonomike”, bëhet e ditur se me supozimin e efektit afatshkurtër nga pandemia e Kovid-19, pasojat mbi ekonominë e Maqedonisë do të jenë “të matura”.

Banka bën të ditur se pritet në aspektin global ekonomitë në mesatare sivjet të kenë rënie prej 3,5 për qind, pas çka në vitin 2021 pritet rritje prej 4,8 për qind, me përkujtimin se këto parashikime nuk janë të sigurta për shkak të pasigurisë me zhvillimin e krizës së koronës.

Sipas ekonomistit kryesor të BERZH-it, Beata Javorçik për rrugëdalje nga kriza në nivel global, kyçe janë bashkëpunimi më i madh dhe fleksibiliteti ekonomik.

“Kriza paraqiste goditje të madhe dhe dalja prej saj do të paraqesë një sfidë po aq të madhe. Kjo nuk është kohë për nacionalizëm ekonomik dhe proteksionizëm, por është kohë që të ndërtohet ardhmëri më e mirë përmes përkushtimit ndërkombëtar drejt tregtisë së lirë, zbutjes së ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunimit ekonomik”, thekson Javorçik.

Në raportin parashikohet se në periudhë afatgjate kriza e koronës do të ketë ndikim të matur mbi ekonominë, me ç’rast pritet që rritja ekonomike të vazhdojë nga fundi i tremujorit të tretë të këtij viti, por theksohet se potencialisht edhe më tutje janë të mundshme efekte të rëndësishme afatgjate ekonomike, politike dhe sociale nga pandemia.

Nëse masat e izolimit mbeten në praktikë shumë më gjatë se ajo që është parashikuar, recesioni mund të jetë shumë më i madh, ndaj niveli i rritjes ekonomike prej vitit 2019 nuk do të mund të arrihet në disa vitet e ardhshme, bëhet e ditur në raportin.

Në nivel global masat e ndërmarra për përballje me pandeminë ka ndikuar në kërkesën dhe ofertën vendore, gjë që rezultoi me rënie të përnjëhershme të çmimeve të mallrave, probleme në punën e eksportuesve, shkelje të
vlerave globale, kolaps të turizmit dhe rënie të nivelit të remitencave devizore nga bota e jashtme.

Thuajse të gjitha ekonomitë në zhvillim nga Evropa Qendrore dhe Lindore, Azia Qendrore, Lindja e Afërt dhe Afrika e Veriut, sipas BERZH-it, me siguri do të kenë pasoja ekonomike gjatë këtij viti, vetëm me një numër të vogël të
përjashtimeve, si Turkmenistani, Uzbekistani dhe Egjipti.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, goditje e madhe pritet mbi ekonomitë e Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të cilat, siç bëhet e ditur, mbështeten në prodhimtarinë industriale, për Shqipërinë dhe Malin e
Zi vlerësohet se do të preken për shkak të goditjes mbi turizmin, përderisa Kosova, por deri në njëfarë niveli edhe ekonomitë tjera të Ballkanit Perëndimor, do të kenë konsum të zvogëluar vendor si rezultat i remitencave të zvogëluara nga bota e jashtme./MIA/





Source link